Halili flet për të njëjtën temë: Do bëj më mirë se babai, nuk ishte e lehtë ta shihja në atë stres

Grent Halili është padyshim futbollisti i momentit te Tirana. Gjithmonë duke ardhur si futbollisti protagonist në takimet më të rëndësishme, për të zgjidhur shqetësimet e bardhebluve. Në një intervistë për “RTSH Sport”, Halili ka folur edhe në lidhje me marrëdhënien prind-fëmijë që e shoqëron te klubi kryeqytetas.

Kështu, futbollisti është shprehur se nuk ishte aspak e lehtë që të shihte babain e tij, në kohën kur Tirana ra në Kategorinë e Parë duke dëshpëruar të gjithë tifozët.

“Vitin e rënies nga kategoria, mund të them se ishte e vështirë kur babai e sheh djalin duke qarë. Por nga ana tjetër edhe kur djali sheh babain të kalojë atë stres dhe që kthehet në një dështim.

Ka ndikuar gjithmonë fakti që jam djali i presidentit, pasi futbollistët kërkojnë minutat e tyre. Nuk kam marrë minutat e duhura dhe të ishte dikush tjetër do e kishtë lënë futbollin.

Unë sapo kam mbaruar universitetin dhe është herët që të flasim për të zëvendësuar babain tim në postin e presidentit, por sigurisht që duke u angazhuar, do e bëj këtë punë më mirë se ai, pasi kam qënë edhe futbollist”, ka thënë Halili. /Sport Ekspres/