Halilaj beson shumë te Kamza, por ka një peng nga Flamurtari

Portieri vlonjat Argent Halilaj është bashkuar me Kamzën këtë verë, pas largimit nga Flamurtari, ku sezonin e shkuar ishte titullar dhe u paraqit mjaft mirë, ndaj largimi befasoi të gjithë.

Tani portieri mendon për të ardhmen dhe në një intervistë për Supersportin tregon pse zgjodhi Kamzën: “Mora një ofertë nga Kamza dhe në veçanti nga trajneri Ndreu, me të cilin kam pasur edhe dy sezone të mira në Krujë dhe jam ndjerë shumë mirë faktikisht.

“Ne kemi pretendimet tona si Kamza, shpresoj që të bëj sa më mirë në këtë ekip, të sigurojmë mbijetesën dhe pse jo të shohim edhe për më lart, duke pasur parasysh edhe afrimet e tjera që do të bëhen në ekip. E nisim me short të keq, por nuk kemi frikë”.

Halili flet edhe për ish-klubet e tij, duke u ndalur me një koment për Flamurtarin dhe largimin e tij në fund të sezonit të shkuar: “Më bëhet shumë qejfi që Kukësi arriti të fitojë kampionatin, pavarësisht se na la një shije të hidhur me eliminimin nga Championsi. Edhe Flamurtari po bën një riorganizim shumë të mirë dhe i uroj suksese. Nuk mund të rri pa thënë dy gjëra, pasi nuk e prisja të largohesha. Megjithatë, futbollisti është i tillë, duhet të respektosh ndonjëherë vendimet e trajnerit dhe stafit drejtues. Kështu që i mirëkuptova dhe nisa një aventurë të re te Kamza”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *