Hakmarrje e hidhur, Reali gjen sërish Juven në finale

0

 

Të besuarit e Zidan munden nga një Atletiko e çmendur, por arrijnë të kualifikohen falë edhe rezultatit të ndeshjes së parë dhe golit të Iskos…

Atletiko M.         2

Real M.                 1

Shënues: Saul 12’, Grizman 16’ (p) / Isko 42’

E mërkurë, 10 maj 2017, ora 20:45, në stadiumin “Vicente Calderon”, Madrid

Atletiko M.: Oblak, Luis, Godin, Saviç, Gimenez (56’ Partej), Karrasko, Saul, Gabi, Koke (76’ Korrea), Grizman, Torres (56’ Gameiro)Tr: Simeone

Real M.: Navas, Marselo, Varan, Ramos, Danilo, Modriç, Kasemiro (77’ Vazkez), Kros, Ronaldo, Isko (86’ Morata), Benzema (76’ Asensio) Tr: Zidan

Gjyqtar: XH. Xhakir (Turqi)

Kartona të verdhë: Saviç, Godin, Gabi, Korrea / Danilo, Ramos

Atletiko fiton, ndaj Realit, në “Calderon”, edhe pse nuk arrin dot që të kualifikohet për në finale. Tre golat e shënuara nga Ronaldo në ndeshjen  e parë nuk mjaftojnë për të besuarit e Simeones që mbrëmë kanë bërë një ndeshje thuajse të përkryer. Një start i frikshëm me dy gola në 16’, por më pas është Isko ai që u “pret këmbët” vendasve, të cilët nuk arrijnë dot të gjejnë golin edhe falë formës së përkryer të Navas. Përfundon 2-1 me Realin që shkon në finale dhe gjen Juventusin, si në vitin 1998.

https://www.youtube.com/watch?v=gmw7n1qA4To

ATLETIKO GALAKTIKE  – Që nuk do të ishte e lehtë, sigurisht që Zidan e dinte, por ndoshta nuk do t’i kishte shkuar kurrë ndërmend se Reali i tij do të shpërfytyrohej që në 16’ e para. Me Torres në fushë në vendin e titullarit dhe me Grizman e Koke, Simeone tenton gjithçka për gjithçka dhe, tentativa e tij nuk i del keq. Madje, i shtyrë nga publiku që kishte mbushur shkallët e “Calderon”, starti i Atletikos është galaktik. Dhe sinjalin e parë e jep Grizman që në fillim, por topi del jashtë. Oblak bën mrekullinë te goditja e Ronaldos, duke e pritur topin, teksa më pas është radha e diktatit të “Colchoneros”. Madje që në të 12’ “të zotët e shtëpisë” kalojnë në avantazh. Koke ekzekuton një goditje këndi, atje ku Saul ngrihet më lart se të gjithë dhe me kokë fut në rrjetë topin duke kaluar në avantazh Atletikon. Reali shokohet, por është sërish Atletiko që, me anë të “El Ninjos” vë në vështirësi Ramos & Co.

Dhe, tentativat e Torres shpërblehen në të 15’, kur Varan e pengon atë në mënyrë të parregullt në zonë dhe për Xhakir ka penallti. Një 11-metërsh që do të ekzekutohej nga Grizman, Navar arrin të devijojë, por topi shkon gjithsesi në rrjetë. Dy gola në 16’ Reali nuk i ka parë në të gjithë historinë e tij në Champions.  Atletiko ka shansin për të shënuar golin e tretë, teksa Reali nis të reagojë, edhe pse nervozizmi, në disa raste, bën arbitrin të vendosë të ndëshkojë protagonistët.

NDËSHKON ISKO – Por, pikërisht atëherë kur u mendua se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin 2-0 të Atletikos që luante vetëm për një gol, është Reali që nuk dorëzohet dhe gjen golin, të katërtin në total në këto dy ndeshje, me anë të Iskos. Benzema jep një asist për Kros, i cili godet, Oblak nuk arrin të zotërojë, teksa Isko nga një pozicion i afërt godet dhe çon topin në rrjetë. 2-1 dhe goli vlen sa për dy. Pjesa e parë mbyllet me fitoren 2-1 të Atletikos, së cilës i duhen edhe tre gola për t’u kualifikuar.

MJAFTON NAVAS –  Pjesa  e dytë është me ritëm dhe me Atletikon në kërkim të golit të tretë që do t’i jepte më pas zemër për të shënuar edhe dy të tjerët që i duhen. Torres lë fushën  e lojës dhe në vend të tij futet Gameiro. Simeone tenton mrekullinë, por përballë ka një portier që duket se mbrëmë ka qenë më i vendosur se çdo herë tjetër. Ai është Kejlor Navas, i cili nuk lë asnjë komplikim të mëtejshëm të rezultatit. Madje në të 65’ ai bën një shpëtim të dyfishtë, teksa, në fillim i pret goditjen Gameiros dhe më pas Karraskos me kokë, të dy vetëm për vetëm në zonën e Realit.

Los Blancos tentojnë të shënojnë golin e barazimit, teksa Modriç godet në të 68’  nga jashtë zone, Ronaldo prek topin që përfundon në rrjetë. Por, portugezi është në pozicion jashtë loje dhe goli nuk quhet. Atletiko vrapon pa fund, por nuk gjen dot golin, teksa të besuarit e Zidanit nuk nguten, duke tentuar kundërsulmin. Në fund edhe pak hapësirë për Moratën, por nuk ka më kohë dhe ndeshja përfundon 2-1 për Atletikon që fiton, por në finale shkon Reali.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here