“Hakmarrja” e vogël e Realit, Asensio leksion Juves

Faktori Ronaldo nuk ka nisur ende të ndikojë në spostimin e ekuilibrave, pasi Reali i Madridit mbetet ende i frikshëm dhe Juventusi mbetet ende në pritje të portugezit, debutimi i të cilit do të vijë me qetësi, në ndeshje më të rëndësishme se ajo e luajtur sot në Amerikë.

Juve kishte shkëlqyer deri tani në International Champions Cup dhe një fitore ndaj Realit do i lejonte të fitonte turneun, ndaj në ndeshjen e fundit amerikane Maks Alegri luajti thuajse me formacion të plotë, ku vetëm sulmi ishte i improvizuar, me Kanselo, Bernardeski e Favili.

Në krahun tjetër, edhe Reali ishte me një formacion goxha të fortë, me emra si Isko, Bejl, Benzema, Kros e Karvahal nga minuta e parë.

Në minutën e 12-të erdhi goli i Juves, me Kanselo që krosoi dhe Karvahal që shënoi autogol në tentativë për të larguar topin. Në fundin e pjesës së parë Geret Bejl shënoi një gol të bukur me një predhë që mposhti Shçesnin, ndërsa Reali po dominonte.

Pas pushimit Reali aktivizoi ndër të tjerë edhe Vinicius e Asensio dhe ishte “shah mat” për Juven. Vinicius, lojtar shumë i talentuar, vodhi një top në mbrojtjen e Juves dhe pasoi për Asension, i cili kaloi Realin në avantazh.

Dominim i Realit në 10 minutat e para në pjesën e dytë dhe Asensio shënoi edhe golin e tretë madrilen, ndërsa Juventusi vetëm pas furtunës së Los Blancos u zgjua dhe pati raste, duke goditur edhe traversën në fund, me Bernardeskin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *