Hakmarrja e ëmbël e Mersinit: Gëzuar Baftjar!

0

Elton Nika

Fjalët e Ergis Mersinit janë të qarta pas fitores së Flamurtarit në Gjirokastër. Mbrojtësi i majtë pohon për “Sport Ekspres” se këto fjalë u drejtohen personave të caktuar, ndërkohë që falënderon dhe vlerëson tifozët e vërtetë gjirokastritë. Shrehja që përdor i referohet ish-shefit të klubit Nora, i cili ka vendosur të largohet nga posti që ka mbajtur në klubin e Luftëtarit.

HAKMARRJA – “Po, ishte hakmarrje e ëmbël ndaj personave të veçantë, të cilët tashmë e dinë fort mirë. Ajo shprehja “Gëzuar Baftjar, për të mira u ardhsha”, qëndron akoma dhe mbetet një postim i imi. Hakmarrje ndaj ish-shefit të klubit Nora, që me sa duket është larguar nga ky post, si dhe stafit teknik, që më larguan padrejtësisht nga një skuadër, ku kisha dhënë gjithmonë maksimumin, kisha derdhur djersë dhe gjak në fushë. Largimi im ishte i padrejtë, aspak profesional, por Zoti është gjithmonë i madh dhe shikon gjithçka. Ndaj, për gëzime u ardhsha që këtej e tutje… Kur mbërrita në Vlorë, nuk e thashë arsyen e largimit, por tani gjithçka dihet. Jam shprehur pas ndeshjes ndaj Luftëtarit në Vlorë se largimi im erdhi thjesht për disa kontradikta me stafin, por mënyra si u bë ishte vërtet shumë e shëmtuar. Ndaj sot them sërish: Faleminderit që më thatë jo, pasi tani jam pjesë e Flamurtarit, një skuadre të madhe të futbollit shqiptar. Një zgjedhje plotësisht e imja dhe për këtë jam shumë i kënaqur. Dua t’i falënderoj të gjithë ata, të cilët bënë të mundur ardhjen time në Vlorë, ndoshta edhe vetë shefin e klubit Nora, pasi më dha një mundësi, që ndoshta nuk e kishte menduar ndonjëherë. Kam dhënë dhe do të jap maksimumin për fanellën e Flamurtarit. Gjatë ndeshjes në Gjirokastër, një pjesë e mirë e tifozërisë vendëse më duartrokiti, duke treguar se nuk ishte aspak dakord me zgjedhjen që bëri klubi ndaj meje, me veprimin e drejtuesve dhe trajnerit të Luftëtarit. Kur ka kontradikta, ato zgjidhen brenda grupit, nuk procedohet me largim. Tifozërinë e respektoj në maksimum dhe ata e dinë fort mirë kush ka të drejtë. Gjithsesi kjo I përket të kaluarës”, – sqaroi Mersini.

FLAMURTARI – Për fitoren e fundit të Flamurtarit dhe javët në vazhdim, Mersini u shpreh: “Për situatën ku jemi, kjo fitore me Luftëtarin na rrit shumë psikologjikisht. Janë pikë vërtet të arta, ndaj një ekipi, që ka bërë mjaft mirë në këtë kampionat, aq më shumë që për mua ishte një ndeshje e veçantë. Janë edhe 7 ndeshje deri në fund dhe me fitoren e fundit jemi më të qetë për vazhdimësinë. Tri ndeshjet në vijim janë mjaft të rëndësishme. Luajmë me Vllazninë, Teutën dhe Tiranën 3 ndeshje të vështira, që duhet t’i kalojmë me sukses. Jemi rritur moralisht dhe duhet vetëm të shohim përpara. Di të them se kjo skuadër nuk bie. Për të ardhmen do të flasim, kur të mbyllet kampionati, por në Vlorë ndihem shumë mirë.”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image