Gzuar, loce!

0

Koment nga Eraldo Harlicaj

Gzuar, loce!
Je rrudh e je plak, ndoshta ma shumë se edhe vetë vitet që ke në shpatulla, s’ke faj. Rruga jote ka qenë e mbushur me shumë gropa e kthesa të forta, fatkeqësisht, stërkambëshat më të dhimbshëm i ke pasur nga ato që të “dashurojnë” ma fort publikisht. Kohët e arta, kur në qytet dëgjoheshin zilet e biçikletave dhe thirrjet e gëzueshme se Vllaznia kishte ndeshje, janë përhumb rrugicash. Trastat me ushqime e shallet rrethuar qafës në transfertat e largëta janë një kujtim i bukur, mbase në përrallat e gjyshave që i tregojnë me emocione nipave për një qytet që i dha frymë futbollit në vendin tonë e mbizotëronte në kampionat, e këta të fundit hapin sytë fort, pasi s’besojnë, mendojnë se po i tregojnë legjenda! Dje festove të 98-tën, e padyshim do festosh edhe kur ne do jemi të tretur në dhe. Se si nuk e di, por shpresoj të mos e shohësh vetën në këtë gjendje që je tani. Nuk të shkon të frysh qirinjtë si një femër e brishtë që vajton akoma “rrëmbimin” e virgjërisë. Ndoshta, ta përkufizoj me këtë term do më mallkojnë me radhë, nga Loro Boriçi, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Ramazan Rragami, Hysen Zmijani, Astrit Hafizi, Vioresin Sinani e padyshim më shumë nga të gjithë profesor Armando Cungu (duke qenë se kam pas fat të punoj me të), kjo sepse kanë derdhur djersë, sakrifikuar dhe kanë ngritur kupa me këtë skuadër, por në Shkodër nuk të pyet kush “si ke ken”, por “si je”. Vllaznia e sotme është “mazamakeq”! E të dhemb kur sheh stadiumin bosh… ma shume se edhe për vetë rezultatet! Jo, jo… s’e meriton ai stadium me gjithë atë emër të jetë në ato kushte, të mos ketë atmosferë. Situata e Vllaznisë është në një paralelizëm me mungesën e tifozerisë, nuk jam prej atyre që them faji është i ekipit, apo i Bashkisë. Faji është i shkodranëve, kanë humbur pasurinë ma të madhe, kanë humbur të drejtën për të gëzuar, vuajtur me “dashnin” e vetme, Vllazninë. Ua kanë vjedh nën hundë e ua përplasin surratit përditë në dalje publike, në premtime elektorale me emra Lorencash, Voltanash e mos me than Agronash, ku ky ekip u përdor e po përdoret për katapultime elektorale, pa marre. Prandaj, gzuar loce, por kurrë ma si këtë përvjetor!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image