Guri zbulon “kurën”: Na duhej besim, tani super

Sulmuesi shkodran: Mendoj se është në favorin tonë të mendojë Skënderbeu se komandon, besojmë shumë te titulli kampion 

Jurgen Zela

Kukësi ka rilindur, së paku këtë ka reflektuar gjatë ndeshjeve miqësore në Antalia. Tashmë të gjithë shpresojnë që të bëjnë më mirë se në 16 javët e para, madje edhe besojnë shumë. Sulmuesi i Kukësit, Sindrit Guri, është një nga ata. Shkodrani është lojtari i cili këtë edicion ka më shumë minuta në skuadër. 24-vjeçari, për “Sport Ekspres” tregon atë çfarë ka ndryshuar në skuadër, duke veçuar punën e  trajnerit Peter Pakult me skuadrën. Në të njëjtën kohë nuk mund të mungojë dhe një koment në lidhje me interesimin që ka pasur për të, por dhe për titullin kampion. Besimi është i madh se Kukësi mund t’ia dalë edhe sivjet.

-Sindrit, keni koleksionuar rezultate pozitive gjatë fazës përgatitore, si ka qene kjo periudhë për ju?

Faza përgatitore shkoi shumë më mirë seç e prisnim. U fut një frymë e re në ekip. Trajneri na dha besimin që na mungonte. Patëm tre ndeshje miqësore ndaj ekipeve me nivel të lartë dhe këtë i kaluam më së miri, duke marrë tre rezultate pozitive. Ishte një provë e kaluar për ne. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe në kampionat.

-E nisni me një trajner të ri, cilat janë përshtypjet tuaja për Pakult?

Është një trajner, i cili ka rregullat parimin kryesor. Në stërvitje do seriozitet maksimal, se fundja është punë. Pas stërvitjes bëjmë shaka dhe është afruar shumë me lojtarët në një periudhë të shkurtër.

-Ku ndryshon Pakult nga Milinkoviç?

Ndryshimi është se Pakult është afruar me grupin në një periudhë shumë të vogël, ndërsa Milinkoviç nuk arriti ta bënte këtë gjë. Nga ana profesionale janë të dy shumë trajnerë të mirë dhe profesionistë.

-12 pikë nga Skënderbeu dhe drejtuesit besojnë te titulli…

Besojnë drejtuesit, por besojmë dhe ne. Besojmë fort madje. Do bëjmë gjithçka që ta arrijmë titullin, pavarësisht se e dimë se nuk do të jetë e lehtë. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një.

-Në aspetin personal, këtë sezon jeni lideri i skuadrës. Si ka qenë ky edicion?

Ishte një fillim jo i mirë, pra jo ai që ne kërkonim. Besoj se këtë fazë të mbetur të kampionatit do bëj më mirë unë dhe skuadra. Normalisht besoj se do bëj shumë më mirë. Tani kam më shumë besim, kam marrë dhe minutat që më duheshin dhe normalisht kam dhe besimin e drejtuesve.

-Performanca juaj në Turqi nuk kaloi pa rënë në sy, mund të na zbuloni diçka më shumë për ofertat?

Unë jam në kontratë me Kukësin dhe çdo ekip që interesohet për mua duhet të flasë me drejtuesit e klubit. Di se drejtori Nexhipi ka pasur kontakte me disa klube në Turqi, që kanë shfaqur interes për shërbimet e mia. Tani ngelet të shohim si do rrjedhin ngjarjet.

-Sa ju bindin afrimet e fundit dhe a e shihni skuadrën të kompletuar?

Goditjet ishin pak dhe saktë. Për mendimin tim janë mjaftueshëm dhe afrime cilësore. Një tjetër alternativë në sulm? Pse jo, dhe një sulmues do ishte mirë, do i shërbente ekipit.

-Skënderbeu duket se komandon, duhet të ndjehet i kërcënuar nga Kukësi i ri?

Mendoj se është në favorin tonë të mendojë Skënderbeu se komandon. Ne do bëjmë punën tonë, do luajmë gjithmonë për fitore, pasi jemi ekipi kampion në fuqi. Mendoj se ekipi ka ndryshuar dukshëm nga pjesa e parë e kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *