Guri: Jam njësoj me Alijev, e pamundur të luajmë të dy

Sulmuesi shkodran: Ndeshja me Skënderbeun është pengu i fazës së parë, do të nisim ngushtimin e diferencës që nga takimi me Kamzën

Jurgen Zela

Sulmi i Kukësit ndryshoi thuajse totalisht pas Kupave të Europës dhe të vetmit që qëndruan ishin Elton Kale e Sindrit Guri. Shkodrani, ndryshe nga edicioni i shkuar, është kthyer në një pikë referimi te kampionët, teksa është aktivizuar jo vetëm si  sulmues, por edhe si mesfushor krahu. Për “Sport Ekspres”, 24-vjeçari tregon fazën e parë të kampionëve, duke rrëfyer edhe pengun që ka nga 9 ndeshjet e para. Po ashtu, sqaron edhe çështjen e partneritetit me Alijevin. Në krahun tjetër, nuk lë jashtë vëmendjes pritshmëritë për të ardhmen dhe rivalët në kampionat.

– Sindrit, jeni kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm te Kukësi. Si e keni parë këtë fazë të parë?

– Ishte një fazë e parë jo shumë e mirë nga ana jonë, pasi i kishim bërë ndryshe llogaritë dhe nuk dolëm ashtu siç ne dëshironim. Kam besim se do të përmirësohemi në këtë fazë që vjen.

– Çfarë mund të kishit bërë më mirë, çfarë ju ka mbetur peng?

– Mendoj se mund të bënim më mirë në të gjitha ndeshjet, pasi gjithnjë ka vend për përmirësim. Peng më ka mbetur humbja me Skënderbeun në shtëpi. Nuk duhet të kishte ndodhur, pasi skuadra jonë ka kapacitete për të bërë shumë më mirë.

– Diferenca me Skënderbeun është 7 pikë, besoni se mund ta rikuperoni?

– Nuk mund të them se është një diferencë e vogël, por as e madhe nuk është. Edhe sezonin e shkuar, afërsisht në këtë periudhë kemi pasur një distancë të ngjashme, megjithatë në fund ia dolëm të arrinim suksesin. Besoj se duke nisur nga kjo javë, diferenca mund të ngushtohet. Duhet të fokusohemi plotësisht te ndeshja jonë dhe të bëjmë më të mirën, duke marrë tri pikët. Kampionati është shumë i gjatë.

– Ju kemi parë të luani në shumë pozicione, por me Alijevin duket qartë se nuk merreni vesh. Çfarë nuk shkon te partneriteti me të?

– Është shumë e thjeshtë: dy lojtarë të të njëjtit pozicion nuk mund të luajnë së bashku, sepse bëjnë të njëjtat lëvizje. Nëse ndodhen dy lojtarë në të njëjtin pozicion, vetëm e dëmtojnë ekipin. Kam luajtur në çdo pozicion, ku më është kërkuar dhe do vazhdoj ta bëj gjithnjë për të mirën.

– Dy gola dhe dy asiste, besoni se mund të bëni më mirë në tri fazat e tjera?

– E rëndësishme është që skuadra të arrijë suksesin. Do të jap maksimumin në çdo ndeshje, do të kontribuoj më tepër në çdo ndeshje dhe jam i bindur se do të vijnë dhe golat.

– Pas dy barazimesh radhazi, vjen Kamza…

– Në çdo takim synojmë të marrim maksimumin. Nuk diskutohet që përballë Kamzës do të kërkojmë 3 pikët. Kamza ka bërë një fazë të parë shumë të mirë dhe nuk do të jetë aspak e lehtë.

– Në verë u fol për një kalim jashtë vendit. Ku e shihni veten në vazhdim?

– Aktualisht, jam i fokusuar te Kukësi, dua të jap maksimumin në çdo ndeshje. Synimi i çdo lojtari është të luajë jashtë vendit, në një kampionat më të fortë.

– Skënderbeu shumë përpara, Partizani prapa dhe Flamurtari pranë jush. Si e shihni luftën për titull?

– Të gjitha skuadrat do të luftojnë për objektivat e tyre. Disa për titull, disa për Europën dhe disa për të mos rënë nga kategoria. Asnjë ekip nuk duhet nënvlerësuar. Të gjithë janë të organizuar, por ne duhet të arrijmë objektivin tonë, titullin kampion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *