Guri: Golat nuk më shijuan nga humbja

Sulmuesi shkodran: Teuta shfrytëzoi mospërqendrimin tonë. Dua “Këpucën e Artë”

Sindrit Guri ishte lojtari më i mirë te Kukësi, kjo për faktin se ishte autori i dy golave. Nëse skuadra e tij nuk do të ishte mundur, mund të konsiderohej një ditë perfekte. Para ndeshjes 24-vjeçari u nderua me çmimin “Lojtari i Muajit”, akorduar nga shoqata “Sporti na Bashkon”. E veçanta qëndron se Guri bëhet i pari lojtar këtë sezon që merr këtë vlerësim për të dytën herë, pasi çdo muaj ka pasur nga një emër të ri. Në shkallët e stadiumit të Durrësit ishte dhe trajneri i Kombëtares Kristian Panuçi, i cili kishte shkuar posaçërisht për të ndjekur shënuesin e Kukësit.

Për “Sport Ekspres” sulmuesi i Kukësit komenton humbjen me Teutën, ku fillimisht thotë se për të golat nuk janë prioritet dhe nuk vlejnë dhe aq në momentin që skuadra nuk merr maksimumin e pikëve. Po ashtu ai komenton dhe arsyet se pse skuadra e tij nuk mori pikë në këtë përballje: “Të them të drejtën nuk i shijoj këto gola për vetë faktin se nuk arritëm të merrnim një rezultat pozitiv. E nisëm mirë, ku arritëm dhe të shënonim, por një mospërqendrim i joni i dha frymëmarrje kundërshtarit, që shfrytëzoi në maksimum mundësitë që ju dhanë”.

Sa i përket faktit se këtë herë ishte nën vëzhgim të veçantë nga numri 1 i stolit kuqezi, vetë 24-vjeçari tregon se ishte i përqendruar si në çdo ndeshje dhe duket se tashmë është mësuar të qenurit në qendër të vëmendjes: “Kur futem në fushë përqendrohem vetëm aty dhe në detyrat që më jep trajneri. Mundohem të jap më të mirën time gjithmonë. Nuk ndikohem kur vijnë e më shohin”.

Panuçi u shpreh se Guri ia ka bërë vetes vendin në Kombëtare dhe në këtë pjesë lojtari i Kukësit preferon të qëndrojë me këmbë në tokë, duke përsëritur se është gati gjithnjë të japë më të mirën e tij: “Mendoj se trajneri i Kombëtares i di mirë këto punë dhe do bëjë zgjedhjet e tij. Unë e kam theksuar gjithmonë se do bëj më të mirën time”.

Vendi i dytë tani duket i hipotekuar, pasi Kukësit i mjafton dhe vetëm 1 pikë për ta siguruar dhe matematikisht. Në të tilla kushte sytë kthehen nga “Këpuca e artë”, ku tani gara është dyshe mes Gurit dhe Souesë, të cilët dje arritën të dy në kuotën e 19 golave. Guri e pranon se tani për të ka rëndësi dhe ky objektiv, por sërish vendos skuadrën para së gjithash: “E mendoj dhe këtë trofe personal, po jam më shumë i përqendruar te ekipi, pasi ato janë faktorë që unë kam arritur të shënoj kaq shumë”, përfundon Sindrit Guri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *