Guri: Fitorja në Shkodër vlejti 6 pikë për Kukësin

0

Jurgen Zela

Sindrit Guri ishte protagonist në ndeshjen me Vllazninë, duke fituar atë goditje dënimi, që u shndërrua në gol nga Pejiç. 23-vjeçari u afrua në merkaton e verës te kuksianët, por minutat nuk kanë qenë të shumta për të. Për “Sport Ekspres”, Guri tregon momentin te Kukësi, teksa e nis prononcimin e tij nga takimi me Vllazninë: “Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse pas dy fazave të para është menduar se Kukësi është rastësisht në vend të parë dhe nuk arrin të fitojë ndeshje jashtë. Kështu, fitorja me Vllazninë vlejti 6 pikë dhe jo 3 pikë për ne”.

Për faktin se ai ishte protagonist në takimin e fundit, pasi fitoi faullin përballë ekipit të qytetit të tij, Guri tregon gatishmërinë për të ndihmuar Kukësin në çdo moment: “Sa herë profesori më kërkon të futem në lojë, jam gjithmonë gati, që të jap më të mirën për Kukësin, sepse për këtë punë jemi këtu, që të gjithë. Duam të arrijmë atë që kemi ëndërr, të dalim kampionë.”

VLLAZNIA – Shkodra mundet me shkodranë kanë thënë, por mua më vjen keq, që Vllaznia është në këto pozita. Realisht e ka rritur nivelin e lojës, në krahasim me dy fazat e para. Me një afrimin si Bakaj, mendoj se do të ketë më shumë rritje.”

KONKURRENCA – Për sa i përket konkurrencës, Guri e sheh si diçka pozitive, por pritshmëritë e tij janë që të ketë më shumë minuta: Sigurisht që pres më tepër minuta, por dhe me kaq sa kam pasur, mundohem të bind trajnerin të aktivizohem sa më shumë. Jam i ri dhe minutat më duhen. Për sa i përket konkurrencës, mendoj se është diçka pozitive, sepse si Pejiç dhe Emini kanë mjaft eksperiencë dhe e kanë bërë shumë mirë punën e tyre. Pres momentet e mia, që të jap maksimumin. Te Kukësi ndjehem shumë mirë, si të jem në vendin tim. Kemi harmoni me stafin dhe me lojtarët”.

OBJEKTIVAT – Mes Kupës dhe Kampionatit, Kukësi nuk lëshon aspak pe. Sulmuesi shkodran është i bindur se Kukësi i ka potencialet për të shkuar deri në fund të dy kompeticioneve: “Do t’i synojmë të dy trofetë, nuk do të ketë neglizhencë në asnjërin prej tyre. Cilësia nuk na mungon, sepse kemi një organikë mjaft të pasur. Ky është një plus për ne. Si Partizani, ashtu dhe Skënderbeu, janë rivalët tanë në luftën për titull dhe nuk duhen nënvlerësuar aspak. Po shohim se pikë mund të lësh dhe me ekipe të vogla. Pikët kanë vlerë të barabartë, si me rivalët direkt, ashtu dhe me ekipet në gjysmën e poshtme të tabelës.”

E ARDHMJA – “Nuk preferoj të bëj plane afatgjata, pasi për momentin jam i përqendruar te Kukësi, por sigurisht dëshira mbetet për të shkuar në një kampionat jashtë vendit”, – përfundon Sindrit Guri, i cili këtë sezon me kuksianët është aktivizuar në 8 takime, duke shënuar 1 gol pikërisht përballë Vllaznisë, në fitoren 3-1 në “Zeqir Ymeri”, fazën e dytë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.