Guardiola: Tani na duhet gjumë! Kampionatin nuk e lëshojmë

Pep Guardiola nuk mund ta fshinte trishtimin e madh që i solli eliminimi dramatik në çerekfinalet e Champions League. Trajneri spanjoll shmangu polemikat në daljen për shtyp duke uruar Totenhemin për kalimin në fazën tjetër.

“Po, është një goditje e fortë. Është mizore, por na duhet ta pranojmë. Ishte një ndeshje e këndshme për të gjithë. Në pjesën e dytë bëmë gjithçka, por na duhet t’i urojmë Totenhemin gjithë të mirat në gjysmëfinale”.

“Humbëm një penallti në ndeshjen e parë, krijuam shumë shanse ndaj një skuadre të fortë. Dy golat e parë erdhën si pasojë e gabimeve tona. Provuam gjithçka deri në fund. Çfarë kemi bërë në këto dy sezone është e mahnitëse”, përfundoi Guardiola.

“Jam shumë krenar, sidomos për reagimin e tifozëve tanë. Nuk e kam parë kurrë stadiumin si sot. Jemi të trishtuar për të gjithë ata, por ata e dinë që provuam gjithçka, futbolli është i paparashikueshëm dhe fatkeqësisht ne nuk jemi në fazën tjetër”.

“Na duhet të reagojmë të shtunën (ndeshen përsëri në kampionat me Totenhemin), por tani s’duhet ta kemi mendjen aty. Na duhet sa më shumë gjumë dhe më pas do të përgatitemi për atë ndeshje. Kemi luftuar për nëntë ose 10 muaj në kampionat. E kemi në duart tona. Sigurisht, do të jetë e vështirë, por duhet ta marrim kampionatin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *