Guardiola nuk ndalet dhe Hysaj vuan, Reali vetëm barazim ndaj Totenhemit

Pep Guardiola tashmë po shijon frytet e punës së tij, sepse Mançester Siti po bëhet i frikshëm dhe fitues. Sot skuadra angleze fitoi 2-1 ndaj Napolit të Elseid Hysajt (nota 5.5), i cili vuajti jashtëzakonisht me depërtimet e Sanesë dhe Gabriel Zhezusit në krahun e tij, duke qenë bashkëfajtor në golat e Sitit. Në minutën e 69-të mbrojtësi ynë u zëvendësua, për një goditje në kokë në përplasjen me David Silvën. Ndërkaq, ndeshja u ndërlikua për Sitin kur Napoli filloi të luante futboll, duke humbur një penallti, shënuar një tjetër dhe duke sulmuar deri në fund për barazimin, që nuk erdhi, ndaj për Napolin kualifikimi ndërlikohet shumë.

Ndërkaq, Reali i Madridit u ndal te barazimi 1-1 në Bernabeu nga Totenhemi. Ishte nata e Kristiano Ronaldos dhe Herri Kejnit, dy yjet më të mëdhenj në fushë, por nuk pati fitues, edhe pse Ronaldo shënoi me penallti në fund të pjesës së parë, pas autogolit të Varanes. Më të mirët në fushë ishin portierët Kejlor Navas e Hugo Loris, heroikë me pritjet e tyre.

Në ndeshjen e tjera, fitore e çmendur 7-0 e Liverpulit në Maribor, në një ndeshje mjaft të lehtë për The Reds, që pas 19 minutash kryesonin 3-0, me gola nga Firmino, Kutinjo e Salah. Ky i fundit shënoi sërish në minutën e 39-të, ndërsa në pjesën e dytë Firmino, Okslejd-Çambërlejn e Aleksandër-Arnold vulosën suksesin. 58 minuta në fushë për Ahmedin, por e kotë të komentohet paraqitja e tij dhe e Mariborit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *