Grupet nuk të japin shpresë, por formati i ri i Ligës së Kombeve ndez Shqipërinë për Botërorin

Sezoni i ardhshëm do e gjejë formatin e Ligës së Kombeve me ndryshime. Kështu Liga A do të ketë 16 skuadra dhe jo 12 sa sezonin e shkuar. Po aq ekipe do të kenë edhe Liga B me atë C, ndërsa Liga e fundit do të reduktohet, teksa nga 16 ekipe do të mbetet me vetëm 7 të tilla.

Normalisht që një gjë për tillë shton buzëqeshjet për kuqezintë, pasi këta të fundit do të kenë më tepër mundësi për të fituar Ligën C sezonin e ardhshëm. Një pjesë e mirë e skuadrave do të jenë më të dobëta se Shqipëria, ose të paktën shihen të tilla në letër, pasi do të ngjiten nga një ligë më e ulët se e jona.

Gjithashtu po mendohet që Liga e Kombeve të dhurojë edhe bileta për një vend në Botërorin e vitit 2022 që do të zhvillohet në Katar dhe kjo padyshim është diçka që vërtet ndez shpresat për Kombëtaren tonë të udhëhequr nga Reja. Kjo duket si mënyra që jep më shumë shanse për kuqezinjtë, pasi kualifikueset e Botërorit nuk premtojnë shumë, sepse është vetëm vendi i parë ai që siguron automatikisht kualifikimin./Sport Ekspres/