Grizman i pamundur, Murinjo kthen sytë nga Levandovski

0

Mançester Junajtid ka kohë që është vënë në kërkim të një sulmuesi të nivelit botëror, për të kompletuar një sulm ku vetëm Ibrahimoviç po shkëlqen, ndërsa Uejn Runej pritet të largohet.

Synimi madhor i “Djajve të kuq” ka qenë Antuan Grizman, me përfaqësuesit e të cilit ka pasur bisedime që në janar dhe gjithashtu është arritur një marrëveshje verbale, sipas medieve spanjolle.

Megjithatë, sulmuesi francez është nën kontratë me Atletikon e Madridit dhe zor se largohet këtë verë, pasi klubi spanjoll ka vendosur të mos shesë asnjë nga yjet e vet dhe gjithashtu shpreson të mbajë edhe një vit trajnerin Diego Simeone, vendimtar edhe për Grizmanin.

Në këtë mënyrë, Junajtid po hedh sytë gjetkë dhe Zhoze Murinjo ka kërkuar dy emra: i pari është ai i Robert Levandovskit, futbollist i kompletuar në çdo drejtim dhe ndoshta i gatshëm të provojë një aventurë të re në Angli, edhe pse është e qartë që Bajerni nuk e shet lehtësisht.

Emri i dytë është më shumë investim për të ardhmen, sepse po ndiqet me vëmendje Kilian Mbape i Monakos. Ylli i ri i futbollit botëror ka mahnitur të gjithë këtë sezon, por përtej çmimit të lartë, te Junajtid i druhen edhe faktit se mund të përsëriten historitë e Depajit apo Marsialit, lojtarë të talentuar, por tepër të rinj për të mbajtur peshë të madhe te Junajtid.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here