Grima rrëfen dramën: Më vunë pistoletën në kokë, mendova se ishte kamër e fshehtë

Amir Grima, trajneri i ekipit kombëtar të femrave, është shpallur para pak ditësh i pafajshëm nga Gjykata e Shkodës. Grima akuzohej për trukim ndeshjesh të Vllaznisë në bashkëpunim me një nga pjestarët e një bande në Shkodër me mbiemrin “Bajri”. Por pas 1 viti e pak muaj, trajneri ka marrë pafajësinë e plotë pasi provat tregonin se ai nuk ishte i përfshirë në këtë akuzë.

Në një intervistë ekskluzive për “Top Channel”, Grima tregon dramën e arrestimit dhe mënyrës skandaloze si është vënë në pranga në mes të qytetit. Edhe vetë trajneri nuk e ka besuar atë skemë duke kujtuar se po i përgatitej një kamër e fshehtë.

“Arrestimi ishte, ça te them, Zot na ruajt. T’i vësh tjetrit pistoleten në kokë, dhe kujt ?! Mua?! Ishte gjëja më skandaloze në botë. Kur po shkonim në komisariat me makinë po qeshja, po bëja gallatë se thashë është kamera e fshehtë, ju betohem, thashë ça do policia me mua?!  Dhe po u thosha që më ktheni ku më morët se jam dhe në këmbë. Pastaj kur më thanë që je i akuzuar për trukimin e ndeshjes Vllaznia B me Tërbunin e Pukës, dhe doja të qeshja dhe isha i mërzitur dhe nuk kisha çfarë të thoja. Kisha dy vjet e gjysmë që nuk kisha marrdhënie me ekipin e Vllaznisë dhe më akuzojnë mua se kisha ndërhyrë për të fituar Vllaznia.

Në dy përgjime unë nuk kisha asnjë bisedë më drejtues të skuadrave, as me arbitrat dhe as me lojtarët e dy ekipeve. Telefonata ishte me dikë tjetër (Safet Bajri) që as ai nuk kishte lidhje me ndeshjen. Por gjatë asaj ndeshje janë dy nga tre telefonata që nuk shkonin më tepër se 12 sekonda bisedë. Tani mbas disa ditëve të këqija vijnë edhe ditët e mira dhe jam riemëruar në krye të ekipit Kombëtarë pasi ata(FSHF) kanë menduar se duhet të vazhdojë detyrën pasi isha thjesht i pezulluar. Në fund dua t’i falenderojë nga zemra për besimin që patën tek unë”- ka thënë trajneri Grima.

Me lotë në sy edhe familjarët kanë treguar tmerrin e përjetuar kur morën vesh arrestimin e anëtarit të tyre. I ati i Grimës madje ka pësuar edhe një krizë duke qenë së shëndeti i tij ka qenë i dobët vitet e fundit. Aq më tepër fëmijët e shokuar nga lajmi se babai i tyre është arrestuar nga policia. I bindur në pafajësi, Armiri ka siguruar familjen që ditën e parë se është i pafajshëm. Dhe kështu ndodhi. Trajneri siç deklaroi dhe gjatë intervistës do t’i rikthehet sërish profesionit të tij si trajnues./Sport Ekspres/