Grima: Emocion i rrallë, kjo është rruga e duhur

0

Armir Grima ka të drejtë të festojë. Ka një detyrë të vështirë, bën trajnerin e kombëtares së femrave, një mision tepër i ndërlikuar për një trajner pa eksperiencë në këtë fushë. Duhet përgatitje ndryshe, duhet eksperiencë, duhet takt e mbi të gjitha duhet durim, sepse një ish-futbollist profesionist si Grima, aq më shumë një portier i famshëm, ndoshta e ka të vështirë të përmbahet kur sheh ndonjë gabim elementar para porte, apo ndonjë gafë në pasim, a në daljet e portiereve që drejton. Megjithatë, Grima pak nga pak është ambientuar dhe tashmë ka korrur suksesin e parë si trajner: kalimi i turit të parë kualifikues në eliminatoret e Kupës së Botës, 7 pikë dhe fitore ndaj Greqisë, çfarë mund të bënte më shumë ndonjë trajner që ka 20 vite eksperiencë e shumë trofe në “trastë”? Pas ndeshjes, shkodrani ishte natyrisht shumë i lumtur, duke bërë edhe humor në konferencën për shtyp…

A ishte një mrekulli ky kualifikim?

Edhe mund ta quajmë mrekulli, por në të vërtetë mendoj se ia kemi bërë hyzmetin kësaj sfide, të tre sfidave. Ishte shpërblimi i merituar për sakrificat, mundin dhe lodhjen e këtyre vajzave dhe në raste të tillë edhe zoti ta shpërblen.

Biseda me vajzat para ndeshjes?

E rëndësishme ishte që vajzat të mos e konsideronin si një finale, sepse ashtu do të bllokoheshin emocionalisht. E patë edhe vetë që fillimi ishte i ngadaltë, vajzat kishin emocione, por pak nga pak i kaluan dhe nisën të shpreheshin mirë. Në pushim u thashë vetëm që të kishin besim në vetvete, sepse do t’ia dilnin.

Skuadër e re, mungesë eksperience e raste të shumta të humbur, a mendohej realisht ky kualifikim?

Normalisht, ajo që më gëzon është që krijojmë shumë raste, sepse kur krijon raste do të thotë që po luan bukur. Për mua është themelore që këto vajza të mësojnë të luajnë futboll, ndërsa të tjerat vijnë vetiu. Do të punojmë shumë, do të mundohemi të gjejmë edhe elemente të tjera për ta përforcuar skuadrën. Për mua rëndësi ka që vajzat luajnë futboll me koncept dhe kjo duhet të ruhet.

Çfarë menduat pas penalltisë së humbur?

Isha shumë i qetë, të them të drejtën, e them me sinqeritet, sepse loja e skuadrës dhe epërsia numerike më jepnin bindje që do të shënonim. Ia dolëm në fund, por goli në fund ndonjëherë të gëzon edhe më shumë.

Në fund mbete i shtrirë në tokë nga emocionet.

Po, normale, sepse me futbollin e femrave nuk është se kemi suksese shumë të mëdha. Skuadra kombëtare po ecën gradualisht, po rritet dhe kjo është kryesorja.

Mund të krahasohet suksesi i juaj me ato të meshkujve, a ndiheni pak “De Biazi”?

(Qesh) Aaaa, jo, mos ta teprojmë, është tjetër histori De Biazi. Unë dua të falënderoj dhe të përshëndet drejtuesit e FSHF-së për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë kësaj kombëtareje dhe kur ke mbështetje të lehtësohet puna.

E ardhmja e kësaj kombëtareje, si duket, duke parë që kjo fitore mund të shtojë ndjeshëm interesimin për futbollin e femrave?

Interesimi i sotëm, jehona që i është bërë kombëtares së femrave nga mediat dhe për këtë meritë të madhe ka edhe Gerti Çarçani si koordinator i FSHF-së me median, ndaj shpresojmë që të afrojmë sa më shumë femra, për ta zhvilluar futbollin. Futbolli i bukur është shumë i nevojshëm, shoqëruar me rezultatet, për të tërhequr gjithnjë e më shumë njerëz në stadium.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image