Granado “merr për dore” Bylisin: E çoj në Superiore

Sulmuesi i ardhur nga skuadra e Mesinës ndihet i kënaqur me ofertën e ballshiotëve: Shënoj sa më shumë gola për elitën

Erjon Saliu

Skuadra e Bylisit po punon fort në merkato, për të rivalizuar me Tiranën në grupin B në Kategorinë e Parë, për të siguruar një vend në Superiore vitin tjetër. Së fundmi, ballshiotët kanë afruar në gjirin e tyre lojtarin e Mesinës, Leonardo Granado. Granado ka qenë më parë edhe pjesë e Kukësit në Shqipëri, në vitin 2015. Ai është 23 vjeë, me kombësi braziliane, dhe luan si sulmues. Me Mesinën, ai ka luajtur në Serinë D italiane. Në një prononcim enkas për “Sport Ekspres”, braziliani i cili është stërvitur me ballshiotët 3 ditët e fundit, ka pohuar: “Bylisi është një klub i njohur në Shqipëri. Unë kur kam qenë pjesë e Kukësit e mbaj mend sepse në atë periudhë luante në Superiore. Oferta ishte mjaft e mirë dhe vendosa që të rikthehem në Shqipëri”.

MESINA – Braziliani ka folur edhe për aventurën në Mesina. “Mesina ishte një përvojë shumë e mirë për mua. Unë isha shumë i nderuar që kam qenë pjesë e atij klubi edhe pse ishte një periudhë e shkurtër, por që ja ka vlejtur. Në fund të fundit ka qenë një eksperiencë me një skuadër që ka qenë pjesë edhe e Serisë A”.

KUKËSI – Në fund ka folur edhe për eksperiencën e parë shqiptare, aktivizimin me skuadrën e Kukësit, ku qëndroi pak kohë për shkak të një dëmtimi, por që ruan kujtime të bukura. “Kukësi është një klub i madh në Shqipëri, që gjithmonë synon që të fitojë titullin kampion, apo dhe trofe të tjerë shumë të rëndësishëm. Unë ruaj kujtime të bukura, por tashmë jam rikthyer në Shqipëri për të ndihmuar Bylisin që me golat e mi të rikthehet në Superiore”, – ka thënë duke mbyllur prononcimin e tij braziliani Leonardo Granado, një nga afrimet e bujshme të Bylisit dhe Kategorisë së Parë në merkaton e janarit.

Formacioni i mundshëm: Xhorxheviç, Ntepe, Shoshi, Bella, Buzi, Murataj, Çukuka, Kullira, Granado, Zisi, Kolgegaj. Trajner: M. Troisi.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *