Goli shqiptar i AEK-ut, Ajdareviç: Shpresoj të jem pjesë e Shqipërisë

Mund ta quajmë fare mirë Astrit Hajdari, edhe pse me dokumentacion mbetet Ajdareviç. Mesfushori shqiptar i cili luan me AEK-un në kampionatin grek më në fund buzëqesh, sepse ka lënë pas një periudhë negative, ku ka munguar për dëmtim, ndërsa dje i shënoi Dinamos së Kievit në Europa League, duke evituar humbjen e AEK-ut.

“Kam pasur një dëmtim të vogël, kam zhvilluar vetëm një stërvitje. Luajta dhjetë minuta, nuk kisha kohë që të tregoja edhe aq shumë, por arrita të shënoja gol. Është kënaqësi të ndihmoj ekipin dhe veten time. I kemi shanset e mira. Jemi të vetëdijshëm se jemi ekip i mirë, luajmë futboll dhe kemi lojtarë me cilësi individuale. Kjo është fazë me eliminim, nuk kemi kohë të trembemi, por vetëm të shkojmë për fitore në Kiev”, ka deklaruar mesfushori në intervistë për Supersport, ndërsa natyrshëm kombëtarja është çështja më e rëndësishme.

“Trajneri Panuçi e di kush jam, e di çfarë kam bërë në takimin e parë në Turqi. Nëse do ti nevojitet një lojtar me cilësitë e mia do të më thërrasë. Mund të jap shumë për Kombëtaren, unë e pres dhe shpresoj. Pastaj varet si luaj edhe me AEK-un, nëse luaj nëse jam i rëndësishëm atëherë do të më grumbullojë edhe Kombëtarja. Megjithatë ka kohë deri në mars, edhe pse unë shpresoj që do të jem në listën e trajnerit”.

Ajdareviç sheh larg, ëndërron Kupën e Botës: “Në Nations League të gjitha ndeshjet janë të vështirat, nuk ka më përballje të lehta. Megjithatë, ne e dimë që Shqipëria ka skuadër të mirë. Nuk i njoh edhe aq mirë Izraelin dhe Skocinë, por normalisht edhe ato luajnë futboll të mirë. Këto vite që kam për të luajtur futboll do t’i jap për Kombëtaren time dhe për shtetin tim, ndërsa dëshira ime më e madhe është të shkojmë në Kampionatin Botëror”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *