Goli në Champions dhe transformimi, “rrugaçi” Agim Ibraimi hap zemrën

0

Agim Ibraimi është një nga ata shqiptarë që ka provuar të luajë edhe në Serinë A. Mesfushori me tipare sulmuese vendosi këtë verë të rikthehej te Shkëndija e Tetovës, aty ku hodhi hapat e parë si futbollist. Erdhi në një moment kur ka ende për të dhënë dhe ëndërron të shkojë në grupet e Champions League ose Europa League me fanellën kuqezi.

“E pranova me kënaqësi ofertën e Shkëndijës. Aty e kam nisur futbollin. Këmbëngulja bëri që të jem më serioz ndaj punës, ndaj talentit që më ka dhënë Zoti. U riktheva tani, që jam në një moshë që mundem të jap kontributin tim”, shprehet Ibraimi në një intervistë të dhënë së fundmi për Supersport.

KALIMI NË AUSTRI – Gjërat “nuk kanë shkuar vaj” gjithë kohën për mesfushorin. Eksperienca e parë në Austri me Red Bull Salzburg ishte e vështirë. “Nuk isha mësuar larg vendit tim. Më mungonte familja, shoqëria. Nuk mund të festoja shumë festa me shokët. Atëherë nuk kisha askënd që kishte lidhje me futbollin pranë vetes. Jeta e natës, daljet, nuk përputheshin me jetën profesioniste të një futbollisti. Ishte një periudhë që mësova. Tani mund të ndihmoj të rinjtë këtu te Shkëndija”, shton Ibraimi.

EKSPERIENCA NË SLLOVENI – Me Mariborin ka luajtur në grupet e Champions dhe madje edhe ka shënuar gol kunër Çelsit: “Të luash në Ligën e kampioneve është sukses mjaft i madh. Nuk i harroj ato momentet e para në Maribor. Unë si një futbollist rrugaç, nisa të mendoj ndryshe. Fjalët e drejtorit më mbeten në mendje: ‘Që të mbahesh mend duhet të shënosh, jo të driblosh’. Goli në Champions? Kundërshtari largoi topin dhe kur topi po vinte nga unë, të gjithë më thërrisnin ‘gjuaje’. E ndala dhe më pas ai ishte një ushtrim trajnimi”.

SERIE A – Ibraimi ka luajtur në Serie A me Kaljarin, për pak kohë. “Kalimi te Kaljari, huazim nga Maribori, dhe provova të luaja në Serie A. Ishte eksperiencë e jashtëzakonshme”, tregon futbollisti i Shkëndijës. Në Itali ai ka mundur të japë edhe asist kundër skuadrës së zemrës, Interit. “Isha në pankinë, shihja lojtarët e tyre pasi isha tifoz. Atë ndeshje asistova për Naingolan dhe shënova”, shton Ibraimi.

MAQEDONIA – Në Nations League Maqedonia e Veriut do të përballet me Kosovën dhe Ibraimi thekson se do të tregohet profesionist, siç ka bërë në të shkuarën kundër Shqipërisë. Ai flet edhe në lidhje me mungesën e ftesës për të dhe të tjerët në të shkuarën.

“Gjatë gjithë periudhës kur kemi luajtur me Shqipërinë, normalisht ndjen një entuziazëm që mund të kishe qenë pjesë e kombëtares. Lirisht them se nuk ka pasur asnjë interesim nga Shqipëria atëherë. Përjashtim bën periudha nga viti 2015. Duhet që tani të shihet për lojtarë këtu. Ne kemi qenë me Maqedoninë që në moshat e reja dhe jemi përballur shpesh me Shqipërinë. Do jemi profesionistë edhe ndaj Kosovës”, shprehet mesfushori.

DËSHIRA – Transferimi te Shkëndija erdhi edhe për t’i ndihmuar kuqezinjtë për të marrë pjesë në fazën e grupeve të kompeticioneve europiane. “Shkëndija është dominuese në ligë e Maqedonisë. Eksperienca mirë bëri që të jemi 12 pikë larg vendit të dytë. Jemi pranë titullit. Dëshiroj të luaj me Shkëndijën në grupet e Europa League ose në Champions. Është punë fati. Uroj të mos kem dëmtime dhe të kemi sukses”, përfundoi Ibraimi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.