Gola e penallti të humbura, në Berat nuk ka festë

0

Tomori ka shpërdoruar një mundësi të artë për t’u ngjitur në krye të grupit B së bashku me Egnatian, pasi është ndalur te barazimi 1-1 në Berat nga Besa këtë të diel, në një sfidë të luftuar e me emocione. Besa u paraqit më mirë se në ndeshjet e shkuara, por është ende një skuadër në konsolidim, ashtu si Besa, që ka bërë shumë ndryshime këtë verë.

PJESA E PARË – Në startin e takimit janë miqtë ata që rrezikojnë dy herë me Mihanin e Çekiçin, ndërsa vendasit përgjigjen në minutën e 17-të, kur Mjukic godet me kokë jashtë. Më pas vjen Mihani pason shkurt në zonë për Mëllugjën që godet bukur, por një mbrojtës largon topin pranë portës. Minutat në vazhdim janë një lojë me qarkullim të dendur të topit, por pa raste konkrete për shënim.

PJESA E DYTË – Fraksioni i dytë është me më shumë ritëm dhe raste të arta për shënim, kjo falë edhe zëvendësimeve që kryen të dy teknikët. Devolli shtyn skuadrën përpara në kërkim të fitores, ndërsa miqtë zgjedhin të kundërsulmojnë rrezikshëm, madje kronika e rasteve flet për miqtë që shpërdorojnë dy raste flagrante.

Gjithsesi, sinjalin e parë e japin beratasit në minutën e 52-të, me anë të kapitenit Çaço, ndërsa në min e 55′ pas krosimit të Friday është Biba që e ndal topin me dorë dhe 11-metërsh, të cilin e ekzekuton kapiteni Çaço, i cili nuk realizon dot pas grushtimit të Mirakës.

Pas këtij momenti është radha e miqve që kanë dy raste të arta, nëpërmjet një kundërsulmi të shpejtë fillimisht në minutën e 68-të Çekiçi jep një asist për Çelhakën që godet çuditërisht jashtë kuadratit, ndërsa në minutën e 73-të Çelhaka që harkon bukur në zonë për Çekiçin, i cili me portën e boshatisur nuk shënon, sepse topi përfundon sipër traut.

Në momentet e fundit të ndeshjes, ku nuk mungon as nervozizmi, është Tomori që realizon në minutën e 78-të me anë të Mujkiç, i cili shënon me kokë brenda zonës, ndërsa miqtë reagojnë shumë shpejt, sepse është Thaçi ai që fiton një 11-metërsh të cilin pas tentativës së parë të Çekiçit, është Çelhaka ai që realizon golin e barazimit, një rezultat ky që ka dëshpëruar shumë beratasit.

Edi Spahiu

 

TOMORI – BESA      1 – 1 

Shënues: Mujkiç 78′ /  Celhaka 86′

Tomori: Kaloshi, Joti (Koleci 60′) Caco, Rodrigo, Ogbodike, Mujkiç, Friday, Mersini, Sharavolli (Dyca 46′) Beci, Gega (Dobra 72′)

Tr: B. Devolli

Besa: Miraka, Mihani, Ndraxhi, Memini, Dikson, Mëllugja, Perja, Obuh  (Thaçi 77′ ) Biba (Kullolli 57′) Krasniqi, (Çelhaka 34′), Çekiçi.

Tr: G. Begeja

Gjyqtarë: E. Demiraj, E. Komolli, B. Balliu ( Pogradec )

Kartonë të verdhë: Mersini 62′ / Krasniqi 10′ Perja 19′ Cekici 61′ Dikson 88′

Deklaruan pas ndeshjes

Bledar Devolli, trajner i Tomorit: “Një pjesë e parë totalisht e përgjumur. Humbëm shumë minuta të nevojshme dhe besoj se në rast të kundërt mund të na shërbenin për një rezultat pozitiv. Në pjesën e dytë loja ndryshoi, skuadra u fut me energji të reja dhe krijoi rastet e saj për shënim. Kaluam në avantazh dhe në momentin që rezultatin duhet ta ruanim me fanatizëm, atëherë i bëmë ‘gjëmën’ vetes duke shkaktuar faull. Megjithatë, tanimë duhet t’i rregullojmë këto gabime në seancat stërvitore dhe duhet të përmirësohemi ende për sa i përket lojës. Nuk jemi akoma atje ku duhet dhe kjo më shqetëson. Gjithsesi, kjo skuadër është një nga pretendentet kryesore dhe deri në fund këto gabime do të harrohen”, u shpreh Devolli.

Gentian Begeja, trajner i Besës: “Mendoj se ishim më mirë se kundërshtari dhe duhej ta fitonim këtë takim. Luajtëm bukur dhe arritëm të zbatonim detyrat. Besa është një skuadër me kualitet të lartë dhe në këtë përballje meritonte absolutisht fitoren. Gjithsesi, i vlerësoj beratasit për atë që dhanë në fushën e lojës, pasi ashtu sikurse Besa, dhe ata janë një nga rivalët që kanë shprehur të njëjtat objektiva për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore”.

 

TË VECANTA:

— Përpara fillimit të takimit, delegati Genc Misha ka kërkuar që të kontrollojë gatishmërinë e autoambulancës së pranishme në njërën nga pjesët pas portave të stadiumit. Mirëpo duke kërkuar që të hapej dera, ka konstatuar se shoferi i mjetit ka qenë në një lokal ngjitur me stadiumin, dhe në moment ka kërkuar vendosjen në gatishmëri të mjetit, ku pasi e njoftuan punonjësit e stadiumit, shoferi ka ardhur me shpejtësi dhe ka treguar gjendjen e autoambulancës në pjesën e brendshme të saj.

— Numër shumë i ulët i sportdashësve beratas në këtë takim. Vetëm gjysma e tribunës qendrore dhe rreth 10 sportdashës nga Kavaja, ishin vërtetë shumë pak për një takim që në rast fitoreje e ngjiste Tomorin në vendin e parë në grupin B

— Për Tomorin ky rezultat ishte barazimi i dytë radhazi në shtëpi, ku skuadrës i mungon fitorja, dhe pas Lushnjës në javën e parë është Besa që merr po një barazim me të njëjtat shifra 1-1.

— Në përfundim të pjesës së parë, ngacmimeve të sportdashësve beratas, sulmuesi mik Çekiçi ka reaguar keq ndaj tifozëve që po e ofendonin. Kjo bëri që gjatë gjithë ndeshjes sharjet ndaj tij të mos ndaleshin.

— Ish-sulmuesi nigerian i Tomorit Onuh është përcjellë me duartrokitje në momentin e zëvendësimit nga ana e sportdashësve beratas.

— Presidenti i Besës Nexhat Bizhdili ka qëndruar në tribunën Vip së bashku me ish-portierin e mirënjohur të Tomorit dhe Besës Bledar Dura që është pritur me shumë respekte nga ana e sportdashësve beratas, ndërsa njihet për miqësinë që ka me presidentin e Besës.

— Dy 11-metërsha janë humbur në këtë takim, dhe kanë qenë fillimisht vendasit me anë të kapitenit Çaço në min 55′ që është ndalur nga grushtimi i Mirakës, dhe në rastin e dytë ka qënë Çekiçi ai që është ndalur në min e 86′ nga ana e portierit Kaloshi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.