Gola dhe tension, pasditja absurde e sulmuesve të Kukësit

Kukësi, edhe pse fitoi sot me Kastriotin dhe ka realizuar misionin e parë vendosur nga klubi, nuk gjen qetësi. Një ngjarje jo e këndshme ka ndodhur në pushim të ndeshjes dhe kjo për shkak të asaj që dy lojtarët e sulmit po prodhonin në fushën e blertë.

Në 45 minutat e para Kastrioti kryesonte 1-0 dhe Kukësi shpërdoroi shumë raste, për faj të dy sulmuesve. Trajneri Ernest Gjoka e kuptoi se Rexhinaldo dhe Shkurtaj nuk bashkëpunonin në fushë me njëri-tjetrin dhe disa raste të arta u shpërdoruan thjesht për egoizëm.

Gara për Këpucën e Artë sikur ua kishte errësuar sytë dy futbollistëve të Kukësit, të cilët në dhomat e zhveshjes ishin nervozë, pasi nuk po shënon golat që kishin shpresën se do u jepte çmimin personal të sezonit. Kjo ka nervozuar trajnerin Gjoka, i cili ka ngritur zërin si rrallë ndonjëherë, duke e parë qartë se në atë mënyrë po hidhej poshtë vendi i dytë. Edhe presidenti Safet Gjici, si zakonisht, kishte zbritur në dhomat e zhveshjes, por nuk foli, edhe ai dukshëm nervoz.

Më pas gjërat sikur u qetësuan disi, dy sulmuesit në 45 minutat e dyta shënuan dhe Kukësi përmbysi Kastriotin dhe fitoi 3-1. Rexhinaldo shënoi dy herë dhe me 13 gola arriti të bënte të tijën Këpucën e Artë. Gjithsesi, ajo që ndodhi në dhomat e zhveshjes ka lënë shije të hidhur në kampin verilindor, edhe pse në futboll është mirë të kesh sulmues ambiciozë dhe deri diku egoizmi pranohet, por pa e tepruar.

E ARDHMJA – Ajo që ndodhi në Kamzë dhe zënka në dhomat e zhveshjes nuk do të kalojë lehtësisht. Presidenti Safet Gjici pritet të bëjë një mbledhje dhe sigurisht që nuk përjashtohen masat. Gjithçka është në dorë të numrit një të klubit, që nga ana tjetër do të duhet të mendojë edhe për klimën në skuadër para finales së Kupës.

Duke parë situatën, në klubin e Kukësit duhet të vendosin përfundimisht se çfarë do të bëjnë, për më tepër që Shkurtaj pas ndeshjes ka kërkuar takim me drejtuesit e klubit dhe është parë duke biseduar me drejtorin Nderim Nexhipi.

Rexhinaldo dhe Shkurtaj së bashku është e vështirë të luajnë, ndaj ndoshta do të jenë të detyruar të heqin dorë nga njëri prej tyre. Se si do të zgjidhet kjo situatë, mbetet për t’u parë. Të dy janë nën kontratë, madje për sulmuesin vlonjat është paguar një shifër e konsiderueshme për kartonin te Luftëtari, ndërsa Rexhinaldo sapo ka arritur marrëveshjen për të vijuar edhe një vit me Kukësin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *