“Gol Ramsey, prehu në paqe Mihajloviç”/ Policia ka në hetim një faqe “Facebook-u” në Itali

Në Itali është hapur një çështje e madhe gjatë ditëve të fundit, sa i përket ironive të tepruara që vijnë nga faqet e “Facebook-ut” dhe që lidhen me futbollin. Njëra prej tyre, e cila quhej ‘Il calcio ai tempi di WhatsApp’, i ka kaluar të gjitha caqet.

Vetë skuadra e Bolonjës do të denonconte në polici dhe është hapur një hetim për faqen që në “Facebook” numëronte 45 mijë ndjekës. Gjithçka nisi me postimet e saj kundër trajnerit të Bolonjës, Sinisa Mihajloviç që është duke luftuar me vdekjen pasi është prekur nga leucemia. Pasi Aron Ramsey do të shënonte me Juventusin ndaj Veronës, në ndeshjen e shkuar, erdhi edhe postimi: “Gol Ramsey, prehu në paqe Mihajloviç”.

E gjitha kjo i kushtohet atij mallkimi të mëparshëm ku pas çdo goli të këtij lojtari, një person i njohur ndërronte jetë. Por kjo nuk ishte hera e parë që faqa italiane do të bënte pastime të tilla. “Bolonja-Spal të premten? Ndoshta sepse kishin frikë se Mihajloviç nuk do të arrinte gjallë të dielën?”, ishte një tjetër ironi makabre e bërë nga kjo faqe.

Shumë njerëz nxituan t’i bënin report në “Facebook” dhe menjëherë llogaria e tyre u mbyll. Por ndërkohë policia po punon për të gjetur edhe përdoruesit e saj, që të përballen para ligjit. /Sport Ekspres/