Gol Ramsej… vdes Tirona

Nga: Saimir Demi

Tani qani po të doni… Por për të derdhur lot me dinjitet duhet të kesh një arsye shumë të madhe, ndërsa këta nuk kanë asnjë. Pikërisht këta, kishin kohë që po e çonin Tiranën, klubin më të titulluar të vendit në këtë rrugë dhe ky fund ishte vetëm çështje kohe. Me paaftësinë e tyre, i hoqën çdo ditë nga një gur themeli dhe e rrëzuan ngrehinën që i dha jetë Selman Stërmasi, madje duke e drejtuar këtë operacion horror pikërisht nga zyrat e impiantit që mban emrin e tij. Tani nuk të mbetet tjetër, veçse të dalësh me një mikrofon në dorë, për të intervistuar dhimbjen e Fatmir Frashërit, Ali Memës, apo Agustin Kolës. Edhe në këtë rast, nuk është se do t’i ofrosh publikut ndonjë gjë të madhe, por mund t’i bësh të shohin lot të vërtetë. Mund t’i demonstrosh, se si bëhet njeriu kur i shkulin një pjesë të shpirtit dhe ja lënë bosh gjysmën e kraharorit.

Ishte kjo Tiranë mediokër që e kishte strapacim të shkonte deri në portat e kundërshtarëve, por që i dha vetes luksin për të bërë edhe aleanca. Dhe në fund, këta lloj bardheblush i shkruan vetë të gjitha ngjarjet historike të sezonit. Ndikuan drejtpërdrejt që Kukësi të fitonte titullin kampion, për të parën herë në historinë e vet, si dhe paralelisht mblodhën 49 trofetë e historisë së tyre dhe i çuan në djall. Këta tipat kanë dy vjet që nuk fitojnë asnjë derbi, madje kanë që nga fundi i dhjetorit të vitit të shkuar që nuk fitojnë as edhe një ndeshje të zakonshme, përveç atyre ndaj Korabit dhe Luftëtarit dhe këtë e arritën vetëm sepse dibranët dhe gjirokastritët vunë dorën në zemër. Kjo skuadër u ndërtua nëpërmjet një merkatoje më mediokre të mundshme dhe u sajua një grup, pothuajse të gjithë të ngjashëm në fushë për nga paaftësia, aq sa mund t’i dalloje vetëm nga ngjyra e lëkurës, apo numrat e fanellave.

E mbetur pa financa, pa tifozë dhe mbështetur së fundmi vetëm nga një grusht njerëzish, që luteshin në të gjitha fetë ekzistuese të globit, për të shpëtuar këtë fenë e tyre. Por në të tilla raste edhe Zoti nuk është më dashamirës, pasi ky fund ishte i natyrshëm. Që nga nesër do të vazhdojnë të nisen sërish autobusët nga të gjithë rrethet e vendit, që në orën 05:00 të mëngjesit, me destinacion Tiranën, por në sheshin “Shqiponja” edhe më indiferentët do të informohen se nuk është më Tirona, kjo e futbollit, pasi ka shumë mundësi të jetë rrugës për në Shën Koll, apo diku nga Kuçova, varet se ku do ta sistemojnë këta topografët e FSHF-së, në veri apo në jug.

Tashmë është bërë e njohur historia e mesfushorit uellsian të topçinjve të Londrës, i cili sa herë shënon ndërron jetë një personalitet. Të shtunën, Aron Ramsej ishte autori i golit të dytë në finalen Arsenal – Çelsi dhe po të shtunën vdiq historia e Tironës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *