“Gogoli” Tirana vret të Parën

Bardheblutë e duan Superioren që në dy fazat e para dhe duket se u është hapur krahu, pasi të gjithë rivalët janë të dorëzuar

Vladimir Prenga

Në Kategorinë e Parë garojnë ekipe të qyteteve të mëdha si Berati, Fieri, Lezha, Kavaja e të tjera. Sivjet është shtuar edhe Tirana, që për herë të parë në histori do të garojë në Kategorinë e Parë. Në Berat festuan kur mësuan se do t’i kenë bardheblutë në grup, por vetëm tifozët, pasi për drejtuesit kampionati në një njëfarë mënyre u “vra”. Situata duket e njëjtë edhe për klubet e tjera, si: Pogradeci, Bylisi dhe Apolonia, që ende nuk kanë zbritur në fushë, kjo për shkak se kampionati do edhe dy muaj të nisë.

BYLISI –  Ballshiotët nuk e pritën mirë që Tirana do të ishte pjesë e grupit B dhe momentalisht ka shumë pikëpyetje. Të gjithë i tremben bardhebluve dhe kur mendon se ata do të garojnë me të njëjtin ekip që luajtën në Europë, atëherë është disi e drejtë, pasi sportivisht duken të pakonkurrueshëm. Presidenti Kapllanaj, ka treguar ndër vite që di të ndërtojë ekip rivalizues, por fillimisht duhet të ndajë mendjen nëse do e bëjë diçka të tillë. Ky mund të jetë edhe një vit “pushim” dhe më pas të gjitha “bateritë” për t’u rikthyer në Superiore.

POGRADECI – Vjet e mbyllën të tretët dhe me pak lëvizje mund të ishin pretendentë për t’u rikthyer në elitë, por kjo nuk do të ndodhë, Lojtarët më të mirë do të ikin dhe Pogradeci do kërkojë të bëjë një kampionat të qetë. Me Tiranën në grup, një ekip bashkie si ata nuk mund të rivalizojnë.

APOLONIA – Fierakët edhe këtë sezon duket të dorëzuar. Bardheblutë ua kanë prishur planet dhe tanimë edhe ata lojtarë cilësorë që kanë do tentojnë t’i shesin. Uzuni ka edhe 18 muaj kontratë, ndërsa Krasniqi edhe një vit. Të dy lojtarët kërkohen nga ekipe të Superiores dhe me gjasa do ta vijojnë karrierën e tyre larg Apolonisë.

TOMORI – Beratasit ëndërronin dhe plani ishte të renditeshin fillimisht në pesë ekipet e para dhe pastaj të tentonin Superioren. Janë dorëzuar. Trajner është përzgjedhur Santiliano Dule, që më parë ka drejtuar të rinjtë. Strategjia e tyre tanimë është të afrojnë lojtarë të rinj për të ndërtuar një ekip për të ardhmen.

TË TJERAT – Naftëtari u rikthye në të Parën dhe do tentojë vetëm të qëndrojë në kategori, ashti si Shkumbini. Këto klube financohen nga bashkitë dhe hapi i tyre kaq është. Turbina do tentojë të qëndrojë në “mesin” e artë, ashtu si edhe skuadra e Shënkollit që do të garojë në grupin B këtë sezon. Risia tjetër është Iliria, që po tenton të afrojë lojtarë cilësorë vetëm për të mos rrezikuar rënien, pasi i trembet faktit që do të luajë në grup tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *