Godelli-Qerimaj, “thumba” në distancë

0

Garimi në një peshë në Europianin e peshëngritjes duket se i ka vënë në garë të egër me njëri-tjetrin dy peshëngritësit tanë, Erkand Qerimaj e Daniel Godelli.

Shkodrani fitoi 2 medalje në Kroaci dhe pas kthimit në Shqipëri tha për Top-Channel: “Godelli është një peshëngritës i nivelit të lartë dhe normalisht që për mua është diçka e mirë që është në të njëjtën peshë. Kjo më stimulon të stërvitem më shumë. Gara e tregoi se kush është më i mirë, sikurse edhe në Izrael ku ishte rregulli i peshës trupore, ndërsa këtu ishte pesha e shtangës. Mua më duhej vetëm një kilogram më shumë për të marrë një vend më të lartë se kundërshtari im Godelli, dhe këtë e tregova edhe në garë. Gara është e hapur dhe kush është më i mirë e tregon”.

Sot ka ardhur edhe përgjigja e kampionit të Europës në stilin e shkëputjes, Daniel Godelli: “Kjo për atë quhet sukses, se të mundësh një sportist si Daniel Godelli është gjë e madhe. Normalisht duhet ta thotë me zë të lartë ‘e munda!’, por që bronzi dhe argjendi nuk besoj se vlen sa kjo(tregon medaljen e artë). Unë nuk kisha kundërshtar Erkandin në Europian. Këtë ai duhet ta ngulisë në mëndje dhe besoj e di shumë mirë. Unë kam pas peshëngritësin rumun, që ishte me 200 kg në stilin e shtytjes”, tha Daniel Godelli.

I kthyer pas dy vitesh pa gara, Godelli flet edhe për historinë e dopingut, para 3 vitesh: “Unë vërtetë jam kapur me doping, por pasi mora këtë medalje, më vjen të pyes ku qe faji i 2014-s, që u kapa me doping. Kjo do të më sqaronte të gjitha idetë për botërorin e ardhshëm, që është në Amerikë. Të paktën të dija se çfarë ka ndodhur atë vit, e të vazhdoj përpara. Kjo më mban peng. Për shpërblim nga shteti duhet pritur 15-20 ditë, sa të vijnë rezultatet e kontrolleve antidoping? Mirë bëjnë që presin. Si nuk dija në 2014-n ça ndodhi, nuk di as sot ça mund të ndodhë. Unë di vetëm që kam qenë i pastër në 2014-n dhe jam i pastër sot”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image