Gjyqtarët nën presionin e moviolës dhe vonesës së pagesave

0

Paradoksi me matjen e punës së tyre nga moviolistët në tv dhe opinionet e ndryshme, dënimet preferenciale në heshtje dhe problemi permanent me pagesat

 

Fation Rupi

Si një nga hallkat më të rëndësishme në mbarëvajtjen e një kampionati futbolli, gjyqtarët në Shqipëri janë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Dhe kjo është krejtësisht normale, aq më tepër këto vitet e fundit, kur të gjitha ndeshjet janë të monitoruara. Por ajo që duket anormale në këtë çështje lidhet me faktin se si vlerësohet puna e këtyre gjyqtarëve në ço ndeshje. Këtu nuk është fjala për vlerën monetare të pagesës, sepse ajo është fikse, por për atë, nëse gjyqtari kryesor dhe asistentët kanë vepruar drejt apo gabim. Edhe pse në çdo ndeshje ka një vëzhgues, që pas ndeshjes duhet të japë vlerësimin e tij, duket se ai kalon në plan të dytë, pasi baza e vlerësimit për një ndeshje të caktuar është ajo çfarë thonë moviolistët në studiot televizive dhe opinioni i të ftuarve. Dhe ky është një problem shumë serioz në gjithë këtë histori. Eshtë shumë e vështirë, thuajse e pamundur, që për një ndeshje të mos gjesh gabime në gjykim, sepse asgjë nuk mund të jetë perfekte. Ndodh edhe me gjyqtarët më të kualifikuar në Europë dhe në botë. Të gjithë ata specialistë gjykimi apo dhe specialistë futbolli, kanë mënyrën e tyre të interpretimit për çdo rast, por dashur pa dashur ndikojnë në vendimin e sektorit, që kontrollon punën e gjyqtarëve në FSHF. Për fat të keq apo të mirë të gjyqtarëve, më shumë në studiot televizive merren me vendimet e tyre se sa me ndeshjen në tërësi dhe lojën e dy skuadrave. Nga kjo mënyrë vlerësimi ka lindur edhe “dënimi në heshtje”, që, para së gjithash, është thjesht preferencial.

Presioni – Por më e keqja është se gjyqtarët vihen gjithmonë nën trysninë e moviolës para çdo ndeshjeje. Gjithmonë ata kanë “frikën” se, nëse do të bëjnë edhe një gabim normal apo njerëzor, do të jenë në mbrëmje në ciklonin e moviolistit. Edhe pse ky i fundit shpesh mundohet ta zbutë pak situatën, për vetë faktin se më parë ka qenë edhe vetë gjyqtar, janë të tjerët që merren me atë që shohin në pamjet filmike. Në tilla kushte, edhe gabimi më i vogël dhe më normal, merr përmasa të mëdha, duke shkaktuar më pas reagimin e palës së dëmtuar. Sa më i fortë të jetë ky reagim, aq më shumë mund të zgjasë “dënimi në heshtje” për gjyqtarin protagonist, i cili apo të cilët do të qëndrojnë pushim për një ose disa javë. Eshtë tejet absurde, por një gjyqtar mund të qëndrojë edhe tri javë pushim për një faull të padhënë. Për të mos folur më pas për rastet e diskutueshme të penalltive, të kartonëve të kuq apo golave të anuluar. Kuptohet që gjyqtarët mund të kenë mëkatet e tyre dhe është e drejtë të ketë një ndëshkim për ta kur gabojnë, por kjo mënyrë vlerësimi, që është bërë tashmë e zakonshme, nuk është aspak profesionale. Vetë ky zanat është i tillë dhe për të qenë sa në lartësinë e detyrës duhet së pari mbështetja e FSHF-së për ata njerëz, të cilët vetë i kualifikon. Eshtë shumë e lehtë të gjykosh punën e tjetrit nëpërmjet pamjeve në tv. Po ashtu, është edhe më e lehtë ta ndëshkosh, përderisa detyra ta lejon, por nuk e ndihmon aspak të korrigjohet, duke e vlerësuar në këtë mënyrë. Përkundrazi, vetëm e vë atë nën presion.

Vonesat  – Një tjetër çështje, që mund të lërë shteg për shumë diskutime lidhet me kohën e pagesave të gjyqtarëve për ndeshjet që kanë kaluar. Gjithmonë ka vonesa në këtë drejtim dhe në FSHF interpretohet si problem procedural, ndërkohë që çdo javë gjyqtarët duhet të shpenzojnë për udhëtimet dhe gjëra të tjera. Edhe aktualisht ka një vonesë me pagesat e gjyqtarëve, rreth dy muaj. Kjo nuk është thelbësore, por mund të ndikojë sadopak edhe në një “joshje” të mundshme të gjyqtarëve. Do të ishte më mirë që të kishte me tepër korrektësi në këtë drejtim, sepse, në fund të fundit, secili meriton të paguhet në kohën e duhur për punë që bën. Dhe puna e gjyqtarëve në Shqipëri, ku të gjithë duan të fitojnë dhe nuk e pranojnë humbjen, nuk është aspak e lehtë.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here