Gjyqtar i korruptuar!

0

Gjergji Stefa

Fatkeqësisht dhe kushedi pse, në përgjithësi sjelljen tonë në publik nuk e kemi as elegante e ca më pak inteligjente. Kjo nuk ndodh vetëm në futboll, mjafton të hidhni sytë nga fjalori që përdoret në parlament, në shkollë, apo rrugë. Nëse edhe kjo nuk ju mjafton, shfletoni se si debatojnë dy shqiptarë në rrjete sociale. Fjalor i rënduar, mungesë durimi, gjaknxehtësi, akuza pa fakte dhe rëndom fjala e fundit që thuhet e para. Veshi ynë është vrarë kaq shumë nga kjo lloj sjelljeje, sa këtë edicion askujt nuk i ka bërë përshtypje  që të paktën 3 klubet kryesore në mënyrë direkte kanë akuzuar për korrupsion gjyqtarët dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, një tjetër ka kërcënuar me padi penale, ndërsa një tjetër klub ka paralajmëruar që mund ta tërheqë dhe skuadrën nga gara. Nuk hyj te kategoria e njerëzve që mendojnë se gjyqtarët gabojnë gjithnjë pa dashje, por asnjëherë nuk e kam kuptuar çdo të thotë gabim me dashje. A ka ndonjë barometër që ndan këto dy drejtëza paralele që ndonjëherë edhe bashkohen?

PSG dhe Bajern Mynih janë eliminuar nga Champions League në këtë 2017 si pasojë e gabimeve ekskluzive të gjyqtarëve, të cilët arritën deri në nivelin e gafave dhe në mënyrë direkte përcaktuan edhe rezultatet e ndeshjeve që në fund panë të buzëqeshur Barçën dhe Realin. Arsyet për t’i “djegur me benzinë” ata që vendosën fatet e këtyre eliminimeve janë shumë më madhore se sa në futbollin shqiptar. Bajerni është një ndër klubet më të mëdha në Europë, ka investuar miliona e miliona euro, jeton dhe punon gjithë vitin pikërisht për këtë ndeshje, pasi në kampionat nuk ka histori. Akuzat ishin gjithashtu direkte, por gjuha e përdorur ishte e moderuar dhe absolutisht brenda kufijve. Asnjë drejtues nuk përmendi korrupsionin, burgun, pazaret, paracaktimin e turneut. Sepse ata në botën e qytetëruar e kanë kuptuar që çdo akuzë jashtë logjikës për futbollin do ishte një tjetër autogol, pas një eliminimi që nuk e kthen dot më pas.

T’i bësh shqiptarët gjermanë e francezë është e vështirë, madje kjo nuk mund të nisë nga futbolli, por sikur klima e këtij sporti në Shqipëri të ishte më e qetë, do ishte më mirë. Çdo tifoz i këtij vendi ka të gjithë të drejtën e botës të dalë në rrugë e të thërrasë ‘futboll i korruptuar’. “Ma tha presidenti i Kukësit, Partizanit, Skënderbeut, Tiranës, Flamurtarit, Luftëtarit etj…”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image