Gjyqet me Gjokën nuk kanë fund, tani padit Flamurtari

Flamurtari duket se nuk ka ndërmend të pranojë disfatën me Ernest Gjokën, edhe pse ky i fundit i ka fituar prej kohësh gjyqet e hapura në FSHF dhe është paguar për rrogat e pamarra nga koha kur punonte në Vlorë. Bëhet fjalë për dy kontrata, ajo e kohës kur klubin e menaxhonte Bashkia dhe më pas kontrata me administratorin Sinan Idrizi, i cili e pushoi nga puna në tetor të vitit 2014 trajnerin tiranas.

GJYQI I RI – Tani Flamurtari do ta çojë në gjyq Gjokën, sepse është përgatitur një dosje dhe do të hapet një proces gjyqësor në Gjykatën Civile, aty ku në fakt pritet të përfundojë edhe disa ish-trajnerë apo futbollistë që kanë fituar gjyqet apo janë në procese gjyqësore me Flamurtarin. Sipas Sinan Idrizit, Gjoka ka punuar me dy kontrata në Vlorë, sepse kishte një pagë tjetër nga ajo që deklarohej në tatime, ndaj jo vetëm Gjoka, por edhe Shpëtim Gjika është fajtor dhe të dy duhet të paguajnë. Falsifikim dokumentesh është akuza kryesore për ta dhe te Flamurtari pretendojnë se Gjoka duhej të paguhej vetëm në bazë të shifrës së deklaruar në tatime.

LICENCIMI – Në një kohë që përgatiten gjyqe të reja, Flamurtari ka ende probleme të vjetra për të zgjidhur, sepse duhet ende të zgjidhë mjaft çështje që qëndrojnë pezull dhe rrezikojnë pjesëmarrjen në Europë. Në fakt, ecuria e Flamurtarit në kampionat kohët e fundit ka qenë e tillë që ka rrezikuar përfshirjen në skuadrat që shkojnë në Europë, por suksesi ndaj Skënderbeut në vajtjen e kupës ka rizgjuar shpresat për ta mbyllur sezonin me trofe dhe kualifikim në Europa League. Gjithsesi, fillimisht duhen shlyer gjithë borxhet e mbetura pezull, pasi ka ende lojtarë që presin të paguhen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *