Gjoni: Hapoel Ber-Sheva? Futbolli luhet në fushë

Laçi dëshironte kundërshtar tjetër në Europa League, por goglat i vunë përballë Hapoel Ber Sheva. Izraelitët janë favoritë për të kaluar në turin e dytë dhe kjo dihet. Gjithsesi në kampin kurbinase nuk kanë ndërmend të dorëzohen para kohe.

Edhe një vit më parë askush nuk u jepte shanse ndaj Anarthosis Famagusta, por në fund bardhezinjtë befasuan dhe u kualifikuan. Mbrojtësi Eglentin Gjoni, së fundmi ka folur për rivalin në Europë dhe thekson se duhet të bëjnë një ndeshje të mirë si ekipi për të shpresuar në kalimin e turit.

“Hapoel Ber Sheva ishte kundërshtari më i fortë i mundshëm dhe për fatin tonë të keq ai na ra. Gjithsesi futbolli luhet në fushë dhe Laçi njihet si skuadër e fortë fizikisht dhe për luftën që në bën fushë. Shpresoj të bëjmë ndeshje të mirë dhe pse jo të kualifikohemi.

Duke parë që edhe vitin e kaluar ndaj Anorthosis bëmë një paraqitje shumë të mirë, madje duke u kualifikuar, besoj se jo vetëm mbrojtja, por duke nisur nga sulmi te portieri do japim maksimumin në të dyja fazat e lojës”, është shprehur Gjoni për Supersport.

Më tej qendërmbrojtësi thekson se Laçi është i fortë, pasi ky ekip prej vitesh luan bashkë: “Kemi pothuajse 3-4 vite që jemi thuajse i njëjti grup dhe besoj se kjo na bën shumë të fortë. Na jep forcë dhe kemi besim te njëri-tjetri, ndaj besoj se do të bëjmë mirë”.

Në fund ai foli edhe për afrimet e bëra dhe bindjen e tij se sezoni tjetër në Superiore do të jetë më i mirë për Laçin. “Afrimet janë përshtatur mjaft mirë dhe shpejt me pjesën tjetër të ekipit. Besoj dhe shpresoj shumë që do të jetë një kampionat shumë i mirë nga ana jonë”, përfundoi Gjoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *