Gjoni: Besëlidhja do luajë me dinjitet deri në fund

Të shtunën Besëlidhja pret Korabin në stadiumin “Brian Filipi” dhe do të jetë një ndeshje mes të barabartëve, pasi të dyja skuadrat kanë nga 27 pikë dhe renditen në minigrupin e parë të Grupit A, duke i shpëtuar zonës së rënies që tani. Faza e tretë luhet për prestigj, pasi Vllaznia duket më lart nga të gjitha ekipet e grupit A. Gjithsesi në Lezhë do i shohin ndeshjet deri në fund si finale.

Vetë trajneri i Besëlidhjes, Vladimir Gjoni, për SportEkspres.com deklaron se ndaj Korabit do të luhet me dinjitet dhe me synim fitore. “Ne do ta respektojmë kampionatin deri në fund, me synimin që objektivi ynë të jetë sa më afër realizimit. Të shtunën mbyllet faza e dytë dhe Besëlidhja renditet në pesëshen e parë, por kjo nuk do të thotë se ne do t’i nënvleftësojmë ndeshjet e mbetura. Përkundrazi do të vazhdojmë garën me dinjitet”.

Për teknikun e lezhjanëve, Korabi respektohet si skuadër e fortë, por synimi i tyre në këto 90 minuta të fundit të fazës së dytë është fitorja. “Takimin e radhës me Korabin do ta luajmë vetëm për fitore. Do kemi përballë një skuadër të fortë dhe ky tregues është një shtysë e fortë që ne të arrijmë marrjen e tri pikëve. Ne do vazhdojmë të besojmë te synimi ynë në fazën e tretë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *