Gjonaj: 500 milionë lekë investime në infrastrukturën sportive

0

 

“Këtë kërkesë të Federatës Shqiptare të Basketbollit ne e kemi futur në projekt dhe kemi kërkuar që detyrimisht të fillojmë me Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, por pa i lënë pas dore as të tjerët”.

 

Nga Altin B.Kodra 

 

Pas stadiumeve të futbollit vëmendja e shtetit do të zhvendoset tek Pallatet e Sportit, të cilat kanë arritur në pikën që nuk janë më të pranueshme në nivel ndërkombëtar. Dhe e para që po e vuan në kurriz këtë gjendje është Federata Shqiptare e Basketbollit së cilës nuk i është hapur drita jeshile për të përdorur cilindo nga mjediset sportive shqiptare, përfshi edhe Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.

Por Drejtori i Sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, ka garantuar se kjo infrastrukturë do të përmirësohet brenda dy-tre viteve në vijim, falë një fondi prej 500 milionë lekësh çdo vit që është propozuar dhe pritet të miratohet. Duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.net, Gjonaj ka dhënë hollësi mbi këtë çështje, duke premtuar zgjidhje të problemit në planin afatshkurtër dhe afatmesëm.

– Kemi një gjendje të tillë përsa i përket infrastrukturës sportive, ku një stadium modern futbolli është ndërtuar e një tjetër po ndërtohet, ndërkohë që komuniteti sportiv, veçanërisht i sporteve të tjera përveç futbollit, ka ngritur shqetësimin se jemi ende prapa me një pallat sporti të parametrave ndërkombëtarë. Këtë e vuan veçanërisht basketbolli…

– Padyshim që do të thoja se Ministria e ka në përparësitë e saj përmirësimin e infrastrukturës sportive në të gjitha llojet e sporteve. Është bërë një punë mjaft e mirë nga qeveria në këto dy vjet në drejtim të investimit në infrastrukturën sportive. Ju përmendët stadiumin e Elbasanit, atë të Shkodrës, që është në përfundim e sipër, por unë do të shtoja edhe Parkun Olimpik të Tiranës në të cilën kanë filluar punimet. E këtu bëhet fjalë për ndërtimin e zyrave të reja për Federatat Sportive, Komitetin Olimpik, Mjekësinë Sportive, si dhe dy salla moderne për peshëngritjen, mundjen dhe artet marciale. Po kështu ka filluar puna për një palestër shumë moderne po këtu në mjediset e Parkut Olimpik të Tiranës, por dihet që ndërtimi kërkon kohën e vet dhe ne shpresojmë që nga mesi i vitit që vjen të kemi mundësi t’i vëmë në përdorim këto mjedise të reja. Ne jemi njohur me problemin që ka basketbolli dhe kushtet që i ka vënë FIBA dhe, për këtë qëllim, kemi kërkuar që të kemi investime, jo vetëm në “Asllan Rusi”, por në të gjitha pallatet dhe sallat sportive që ne kemi trashëguar që para viteve 1990. Ne kemi disa pallate sporti të cilat, falë Zotit, me një meremetim apo rindërtim të tyre kthehen në mjedise sportive shumë të mira dhe që plotësojnë kushtet e kërkuara sot, jo vetëm për zhvillimin në to të veprimtarive kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare. Në parashikimin buxhetor afatmesëm (PBA), që ne kemi hartuar për periudhën 2016-2018, ne kemi kërkuar që çdo vit të kemi rreth 500 milionë lekë për investime në këto objekte sportive. Këtë kërkesë të Federatës Shqiptare të Basketbollit ne e kemi futur në projekt dhe kemi kërkuar që detyrimisht të fillojmë me Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, por pa i lënë pas dore as të tjerët. Ne e dimë që ka edhe kushte nga Federatat Ndërkombëtare Sportive që Pallatet e Sportit duhet të kenë mbi të gjitha një sipërfaqe loje të mirë, ndenjëse të përshtatshme për tifozët, dhoma zhveshjeje të përshtatshme për ekipet, për gjyqtarët dhe zyrtarët, mjedise të përshtatshme higjenike, mjedise për mjekësinë, antidopingun, kushte që janë të mundshme për t’u realizuar në këto mjedise sportive që kemi ne. Sigurisht, një tjetër kusht i domosdoshëm i kërkuar në këto mjedise sportive është sistemi i ngrohjes dhe ftohjes së ajrit, sepse, në mos gabohem, nën temperaturën 16 gradë Celcius nuk lejohet të zhvillohen veprimtari sportive dhe ne jemi të ndërgjegjshëm se po të shkosh në Pallatin e Sportit në dhjetor apo në janar për të bërë veprimtari sportive atje rastis që shpesh temperatura të jetë më e ulët brenda sesa jashtë në qiell të hapur, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Për këtë arsye, ne e shikojmë si përparësi dhe domosdoshmëri rindërtimin e këtyre mjediseve. Jo më larg se disa ditë më parë unë e kam ngritur këtë shqetësim dhe, në bisedën që kam patur me znj. Lindita Nikolla, Ministren e Arsimit dhe Sportit, i kam kërkuar edhe ndërhyrjen e saj, që me çeljen e fondit të investimeve të kemi një planifikim të veçantë për këto mjedise sportive dhe kam gjetur plotësisht mirëkuptimin e saj.

– Ju flisni në terma afatmesëm, por a ka afate konkrete, duke e marrë të mirëqenë miratimin këtyre fondeve, përsa i përket nisjes së punës dhe përfundimit të saj në këto mjedise sportive e më konkretisht në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”?

– Natyrisht që ka përparësi dhe emergjenca, por ne do të bëjmë ç’është e mundur që Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ta vëmë të parin në efiçencë për t’i plotësuar këto kushte, qofshim këto fillimisht minimale, sepse, që të bëhen investime të mëdha, ato duan kohën e tyre dhe nuk mund të themi që, për një muaj apo për dy muaj, ne do ta realizojmë këtë objekt. Ju e dini si funksionon shteti, me procedura, me projekte, me tenderime, etj., të cilat marrin të gjitha kohën e tyre. Pra duhet të jemi realist në këtë aspekt dhe të mos themi kot që “po, do ta bëjmë sot”. Ne jemi të ndërgjegjshëm se në Pallatet e Sportit nuk bëhet vetëm basketboll, por atje bëhet volejbolli, gjimnastika, mundja, artet marciale, peshëngritja, boksi, futbolli i sallës… pra janë shumë lloje veprimtarish. Pra, duhet të kemi parasysh se, nëse në një stadium futbollit mund të ushtrohen vetëm futboll dhe atletikë, nëse ai ka pistë, në Pallatet e Sporteve ushtrohen të gjitha llojet e sporteve.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.