Gjoka: Vetëvrasje nëse nuk mundim Lushnjën

Tekniku kuqeblu e konsideron jetike përballjen e sotme. Trajneri pranon se skuadra do të luajë nga minuta e parë në sulm për të fituar me lagunarët

Gaspër Marku

Për teknikun e Vllaznisë, Ernest Gjoka përballja e sotme ndaj Lushnjës modeste është e një rëndësie të veçantë. Fjala është te mundësia e ndonjë nënvlerësimi të mundshëm, që mund të përfshijë lojtarët shkodranë. Dhe për këtë arsye, ai me seriozitetin dhe frymën mobilizuese ka ditë që është përpjekur “të ushqejë” futbollistët e tij, për të marrë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Një gjë të tillë, tekniku Gjoka e ka shprehur edhe gjatë konferencës për shtyp, dhënë si zakonisht një ditë përpara ndeshjes zyrtare. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Gjoka ka folur edhe për çështjen Malota, duke mos e fshehur kënaqësinë e rikthimit të qendërmbrojtësit kuqeblu në gjirin e skuadrës. Trajneri është ndalur edhe kontingjenti i bollshëm i titullarëve që për këtë ndeshje ka në dispozicion, përshirë edhe dyshen sulmuese, Sukaj-Ribaj, rivaliteti mes të cilëve ka marrë jo pak vëmendje nga opinion sportiv, në lidhje me aktivizimin nga minuta e parë.
-Profesor, nesër (sot) përballë Lushnjës së vendit të fundit, e lehtë, apo… ?
Aspak! Nuk është një ndeshje e lehtë, sepse ne vazhdojmë dhe këmbëngulim që jemi në një moment shumë të vështirë. Nga ana matematikore, ne na duhen edhe shumë pikë. Kështu që kjo ndeshje ka rëndësi jetike për ne. Serioziteti dhe përqendrimi është në maksimum. Kjo më bën, që të jem shumë i kujdesshëm, jo vetëm unë, por e gjithë skuadra për të qenë nesër (sot) shumë agresive dhe për të bërë atë që duhet të bëjmë patjetër në shtëpinë tonë.
-Është rikthyer Malota, një mundësi më shumë për skuadrën
Është një futbollist lider i skuadrës, por Shqipëria është akoma një vend i çudirave, kështu që unë mendoj dhe uroj që Malota të jetë në rrugën e duhur, pas problemit të madh familjar që pati. Është kënaqësi ta kesh përsëri në skuadër. Sot (dje) ka dalë në stërvitje në të dy seancat stërvitore, për të qenë i gatshëm sa më shpejt, pse jo që në ndeshjen e ardhshme në Durrës me Teutën.
-Forma e mirë e Ribajt dhe rikthimi i Sukajt, ju ka vënë ndopak në siklet për ndërtimin e formacionit?
Nuk na vë në siklet, sepse çdo trajner është i lumtur kur ka sulmues që vijnë në formë. Unë, mezi prisja që Ribaj, Sukaj, Çinari, Kalaja dhe Gilman Lika të ishin sa më në formë, sepse ne na duhen lojtarë të mirë. Jam i lumtur që Ribaj ka gjetur formën, Xhevo është në vazhdimësi, ai lojtari goleador. Uroj dhe shpresoj që nesër (sot) të jemi përpara portës së kundërshtarit me sa më shumë forca sulmuese. Pse jo të shënojnë të gjithë sulmuesit e mundshëm.
-Do të jenë që të dy sulmuesit në lojë?
Në disa portale pashë që ishte theksuar se do të luajmë me dy sulmues. Nejse, unë mendoj se ne do të luajmë me shumë sulmues, sepse nuk kemi çfarë të presim.
-Megjithatë, keni në dispozicion një kontingjent të plotë dhe kjo është një gjë pozitive për skuadrën?
Si trajner, një problem kam. Kur skuadra është e plotë dhe kur lojtarët janë në formë është një problem shumë i madh për mua. Duhet ti marr maksimumin të gjithëve. Por në këtë moment, dikush duhet të rrijë në stol për ti hapur rrugën dikujt tjetër. Ky është problemi, por për hir të kësaj pune, e për hir të situatës ku ndodhemi, megjithatë, unë kam gjetur dashamirësinë dhe përkrahjen e gjithë futbollistëve të Vllaznisë. E rëndësishme është që të bëjmë punën. Pastaj, patjetër që futbollistët, gradualisht të gjithë do jenë në momentin e duhur dhe kohën e duhur në lojë.
-Kaluat një fazë të tretë pozitive. Do të vijojë kështu edhe e katërta?
Në qoftë se nuk do të arrijmë të bëjmë si në fazën e tretë, pse jo edhe më mirë, atëherë ne nuk kemi asnjë shpresë të mbijetojmë. Kjo është një gjë që e kemi kuptuar shumë mirë. Nga unë i pari dhe deri tek futbollisti i fundit. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër. Unë vazhdoj dhe këmbëngul, që po të kthejmë kokën mbrapa është vështirësi shumë e madhe. Duhet të ecim shumë shpejt përpara për të qenë të qetë për arritur matematikisht qëndrimin në Superiore.
-Vllaznia ka një kujtim aspak të mirë vitin e kaluar. Barazimi me Korabin e vuri në vështirësi në ndeshjet e ardhshme për mbijetesën
Të gjithë kemi kaluar të tilla probleme. Edhe unë vjet me ekipin kampion pata një ngërç të tillë. Dhe më ndodhi me një ekip që kishte rënë nga kategoria. Rreziku më i madh në futboll është kur ti nënvleftëson kundërshtarin. Te ne nuk ka një nënvleftësim të tillë. Të gjithë jemi të përqendruar dhe shumë seriozë për ta kuptuar vlerën dhe rëndësinë e trepikëshit nesër (sot). Është një trepikësh, njëlloj si me Skënderbeun, Kukësin, Flamurtarin dhe me gjithë ekipet më të mira të Superligës shqiptare. Edhe ky me Lushnjën është një trepikësh shumë “i artë” për vazhdimësinë tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *