Gjoka thirrje tifozëve: Hajdeni të shpëtojmë Vllazninë!

0

Ecuria e mirë e javëve të fundit, shoqëruar edhe me mbështetjen e tifozëve e biznesmenit-deputetit Doshi pritet të sjellin suksesin edhe ndaj të kuqve në “Loro Boriçi”

Gaspër Marku

Aventurën në krye të Vllaznisë, Ernest Gjoka e ka nisur pikërisht në ballafaqimin me të kuqtë e Partizanit. Një ndeshje, ku edhe pse miqtë fituan 0-1, tekniku Gjoka nuk ishte aspak i bindur për atë rezultat në fund të ndeshjes. Sipas tij, asokohe, fusha e lojës, nuk pati diferenca. Megjithatë, duke ia lënë të shkuarës atë takim, për këtë që luhet sot, po në “Loro Boriçi”, Gjoka ka tjetër mendim. Prej asaj dite, gjërat kanë ndryshuar shumë për trajnerin kuqeblu. “Ndeshja ime e parë ka qenë me Partizanin. E humbëm ndeshjen, por mendoj se nuk ishte për t’u humbur ai takim, pavarësisht se kisha shumë pak kohë në dispozicion. Sot mendoj se skuadra ka tjetër uri. Ka tjetër fytyrë dhe ka tjetër personalitet. Kam shumë besim te skuadra, e cila do të na japë kënaqësinë e javëve në vazhdim, edhe pse Partizani është një ekip me emër shumë të madh”, shprehet tekniku kuqeblu Ernest Gjoka.

– Gjoka, duket se më në fund Vllaznia është e qetë.

– Sigurisht, klima është më e qetë, sepse janë rezultatet, që të japin qetësinë. Por, shqetësimi mbetet, sepse ne vazhdojmë dhe këmbëngulin që kemi shumë punë për të bërë. Pavarësisht nga ecuria mirë, kemi “një gropë të madhe” me mungesë pikësh. Edhe kundërshtari që kemi prapa është shumë i rrezikshëm dhe duhet të jemi të kujdesshëm, gjatë të gjithë kohës.

– Frika, ende e pranishme?

– Është shumë e rëndësishme që të kthejmë kokën mbrapa, sepse për hir të së vërtetës, tensioni ka qenë shumë i madh. Të paktën, flasim për kohën që unë kam qenë këtu. Sigurisht edhe për mungesën e pikëve. Kjo na bën që gjatë të gjithë kohës t’ia vëmë në dukje skuadrës për çfarë kemi hequr dhe çfarë duam të bëjmë, që të çojmë deri në fund këtë kauzë që kemi marrë përsipër, për të nxjerrë Vllazninë nga ky ngërç.

– A ka arritur Vllaznia aty ku e keni projektuar pas ndryshimeve në janar?

Sigurisht, që të gjithë e kemi thënë se Vllaznia ka pasur probleme të mëdha në formatimin e skuadrës, sidomos në repartin e mbrojtjes. Shumë herë jemi penalizuar nga problemet, që ka pasur mbrojtja. Operacionin që bëmë në mbrojtje, e zhvilluam shumë të kujdesshëm, duke e sistemuar mbrojtjen gati 90 përqind. Dhe, mendoj se kemi sjellë disa lojtarë cilësorë, me eksperiencë të jashtëzakonshme. Malota është një shembull, që për mua është lideri i mbrojtjes. Është  një lojtar, i cili, i jep shumë qetësi skuadrës. Por, edhe Berisha dhe Mersini, së bashku me Gocajn kanë bërë një katërshe shumë të mirë dhe shumë të fortë. Po kemi qetësi dhe po krijojmë stabilitet, atëherë mund të marrim pikë në çdo fushë. Formatimi i skuadrës, nuk mund të bëhet me shpejtësinë e erës, prandaj kam këmbëngulur gjatë gjithë kohës. Duhet të kemi pak durim, sepse skuadra e futbollit, patjetër që kërkon kohën e saj. Jemi duke u rritur. Shpresoj që të vazhdojmë kështu”, vijon ai.

– Partizani shkëlqeu në ndeshjen e fundit, sa i druheni?

– Sigurisht që është një ndeshje e vështirë. Mendoj se është një nga ndeshjet elitare të futbollit shqiptar. Janë dy skuadra shumë të mëdha, me emër. Dy skuadra që kanë bërë histori në futbollin shqiptar. Kështu që kjo jep edhe më shumë përgjegjësi.

– Kërkesë specifike për skuadrën?

– Nuk i kam kërkuar asgjë më shumë skuadrës. I kam kërkuar vetëm dinjitet, për të dhënë maksimumin dhe për të arritur të marrim maksimumin ndaj kësaj ndeshje. Unë vazhdoj, e këmbëngul, që ne jemi të dënuar. Jemi të dënuar që nga java në javë të bëjmë mirë, ndryshe prapë rrezikojmë.

– Mbrojtja po shkëlqen, por sot pritet edhe sulmi.

– Po, padiskutim që duhet të shënojmë, sepse nuk do të thotë, që meqë po bëjmë mirë dhe nuk po pësojmë gol ne do të vazhdojmë kështu.

– Sfidë delikate, emra të mëdhenj. A prisni më shumë tifozë?

– Unë e kam thënë edhe më përpara. Tifozët për ne janë oksigjen dhe një mbështetje shumë e madhe. Ne kemi nevojë për ta. Kemi nevojë, sepse për hir të së vërtetës jemi akoma jo mirë. Në qoftë se do të jemi të gjithë bashkë, tifozë, media, qyteti, do të ecim përpara. Prandaj, edhe tifozi është një “armë” shumë e fortë. Për mua, është ai krahu i fortë, ajo “shpatull”, që duhet në një moment të vështirë. Mendoj se do të na mbështesin. Dhe në fakt për hir të së vërtetës po na mbështesin shumë. Po të shikosh edhe ndeshjen në Kamzë, kishim tifozët tanë atje. Normalisht, nuk ishin shumë, por kjo tregon se po mbështetet skuadra. Besohet te skuadra dhe po shikoj, që po vjen fryma e pajtimit. Na takon, që bashkë me tifozët, t’i japim kënaqësi qytetit.

– A vlen një pikë sot?

Në futboll, që të ecësh përpara duhet vetëm fitorja. Futbolli  është një sport i paparashikueshëm. Të gjitha rezultatet janë brenda. E rëndësishme është, që ne duhet të shikojmë përpara. Kjo  është parësore.

– A mund të thuhet se kriza ka marrë fund?

Sigurisht që kemi bërë një start të mirë, por kjo nuk është asgjë, në krahasim me atë që ne kërkojmë. Kemi bërë një hap të madh dhe kjo na jep qetësi dhe besim. Duhet të ecim shumë para, sepse po të kthehemi prapa, them që janë shumë pikë për t’u marrë dhe nuk jemi aty ku duhet. Në qoftë se do të bëjmë pak matematikë, na duhen shumë pikë akoma për të shpëtuar. Po mbajtëm këtë ritëm, këto tre javë që janë shumë të forta, atëherë mund të fillojmë dhe të marrim frymë dhe të mendojmë që faza e katërt do jetë akoma edhe më pozitive”.

 

Nuk është problem mungesa e Orelesit

Kuqebluve do t’u mungojë në këtë ndeshje nigeriani Orelesi, por për Gjokën, skuadra ka lojtarë të tjerë në gatishmëri që pritet ta zëvendësojnë me sukses në fushën e lojës. “Sigurisht, që do të ndikojë, sepse tashmë skuadra po “merr ngjyrë”, dhe Orelesi është një nga elementët e rëndësishëm të ekipit. Por kështu është loja e futbollit, do ta zëvendësojmë. Unë e kam thënë edhe më përpara se në këtë moment, skuadra ka lojtarë që janë të gjithë në formë, dhe personalisht mendoj se është pak fatkeqësi, sepse kur janë të gjithë në formë, duhet t’u merret maksimumi, por vetëm 11 lojtarë dalin në fushë”, shprehet Gjoka.

 

Doshi e Fushaj së bashku, Gjoka: Tani nuk jemi pa baba

Krahas Bashkisë, si pronarja e vetme e Vllaznisë, në pjesën e dytë të sezonit, kuqeblutë po mbështeten financiarisht edhe nga komuniteti i biznesit. Gjë që është parë fillimisht me dy biznesmenë, ndërkohë që tashmë në skenë ka dalë i vetëm deputeti Tom Doshi, për të cilin Gjoka përcjell një falënderim. “Sigurisht, që është një mbështetje shumë e madhe. Gjej rastin ta falënderoj zotin Doshi, që në një moment të vështirë. na del në krah. E kam thënë edhe herë të tjera: Superliga shqiptare është “shumë e egër”, ku presidentet e ekipeve bëjnë gjithçka për të mbrojtur interesat e tyre financiare. Natyrisht, që harxhohen shumë lekë, dhe gjithmonë ekipet e Bashkisë shikohen si ekipe me atë syrin, që sikur janë pa krahë. Ose, më mirë ta themi, meqë doli si batutë, janë pa “baba”. Ndihma e zotit Doshi, apo edhe e Fushajt, që ishin bashkë herën e shkuar në një premio do të jetë një mbështetje për t’i treguar të gjithëve, që nuk jemi jetimë dhe nuk jemi vetëm. E falënderoj shumë. Edhe skuadra dje e ka falënderuar shumë për këtë mbështetje, sepse është një suport i jashtëzakonshëm. Nuk është ideja e suportit ekonomik, por është e suportit, e njerëzve me potencë, që t’u tregojë të gjithëve se Vllaznia nuk mund të shihet me atë syrin e jetimit”, komentoi Gjoka këtë temë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.