Gjoka: Të harrojmë problemet e Skënderbeut, na duhen pikët

Vllaznia është një ndër klubet që natyrisht po i ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet e fundit të çështjes Skënderbeu. Nuk përjashtohet asgjë, as zbritja e Skënderbeut nga kategoria me urdhër të UEFA-s, por fillimisht duhet pritur mbyllja e procesit me apelimet e Skënderbeut.

Kjo bën që trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka të kërkojë kujdes maksimal dhe të evitohet absolutisht çdo diskutim në lidhje me Skënderbeun dhe ndonjë dënim të mundshëm.

“Dënimi i Skënderbeut është një dëm i madh që i bëhet futbollit shqiptar. Një dëm i madh që i bëhet qytetit të Korçës por edhe skuadrës së Skënderbeut sepse për hir të së vërtetës, duhet ta pranojmë gjithë këto vite ka qenë një skuadër vërtetë profesioniste. Një skuadër e cila ka bërë një futboll ashtu siç bëhet sot në Evropë dhe prandaj them se do të jetë një dëm shumë i madh dhe një njollë shumë e madhe për të gjithë ne. Gjithnjë në qoftë se kjo rezulton të jetë e vërtetë dhe do konkretizohet me fajin e Skënderbeut”, ka deklaruar Gjoka në prag të sfidës kundër Skënderbeut, nesër në orën 14.00.

“Unë mendoj se ne duhet të vazhdojmë përpara. Vllaznia duhet të mos e mbajë mendjen tek dënimi i Skënderbeut, sepse nga ana ligjore ka shumë hallka dhe ndoshta mbas KAS-it mund të ndryshojë vendimi i UEFA-s dhe korçarët mund të dalin të pafajshëm. Pra, kjo nuk do të thotë për ne se kemi shpëtuar dhe duhet të kënaqemi për këtë dënim që mund të marrë Skënderbeu edhe pse duam apo s’duam ne, tashmë mendja është në dy vende”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *