Gjoka, stresi i Korçës dhe ai i titullit

0

Ernest Gjoka rrëfen ndeshjen kundër Skënderbeut, lëvizjet e tij dhe strategjinë për fundin e sezonit, që parashikohet i zjarrtë Jurgen Zela Kukësi nuk njeh humbje, as pas vizitës në Korçë, ndaj Skënderbeut kampion. Megjithatë, ishte një ndeshje mjaft e ndërlikuar, që Kukësi e zgjidhi mjaft mirë me një reagim të shkëlqyer në pjesën e dytë, duke ruajtur pathyeshmërinë dhe kreun. Trajneri Ernest Gjoka rrëfen emocionet dhe ecurinë e asaj sfide, ndërkohë që analizon edhe kampionatin, ecurinë e Kukësit, afrimet e janarit dhe garën për titull…

Gjoka, kaluat një pengesë serioze, në një ndeshje stresuese kundër Skënderbeut…

E vërtetë, ishte një ndeshje shumë stresuese. E kisha ndërtuar ndryshe ndeshjen, por bëmë një gabim dhe pësuam gol, çka na prishi shumë plane, sepse dëshironim ta mbanim kundërshtarin nën presion dhe sa më larg zonës sonë. Skuadra humbi qetësinë pas golit të pësuar dhe u futëm në krizë paniku. Më pas, me kalimin e kohës e morëm veten, por humbëm shumë raste, sepse loja mund të ndryshonte. Nëse barazonim shpejt, kisha të tjera ndryshime në mendje, kishim 4 lojtarë të gatshëm për të shtuar forcën sulmuese, me Kalenë, Eminin, Gurin e Lushtakun. Kale dhe Emini ishin zgjedhje të planifikuara.

Kale ishte një zëvendësim i goditur…

Kale nuk luajti nga minuta e parë, pasi dëshiroja që Zhan Karioka të mbante peshën kryesore fizike në përballjen me Vangjelin, ndërsa më pas Kale të futej i freskët. Jam i kënaqur nga Kale, po bën atë që pres prej tij, pa krijuar probleme nëse luan titullar, apo e nis nga stoli.

Merkatoja e janarit, pak e sak…

Presidenti Gjici më la dorë të lirë per merkaton dhe unë pikërisht Rrumbullakun e Kalenë zgjodha, pasi nuk kisha nevojë për më shumë. Skuadra ishte thuajse e kompletuar, ishte e para, nuk ishte e nevojshme që të prishja harmoninë e skuadrës dhe nuk kishte arsye pse të ndryshonim totalisht skuadrën. Është tjetër histori vera, kur ka kohë dhe mund të gjenden lojtarë edhe shumë cilësorë.

Partizani fitoi sërish…

Natyrisht, pritej të fitonin dhe e kemi të qartë që do t’i kemi pranë deri në fund. Edhe Skënderbeu nuk duhet nënvlerësuar, pasi barazimi i djeshëm nuk është aq tragjik për ta. Jemi ende të parët, nuk po humbasim, tani e tutje nis sprinti final. Llogaritë e mia janë që të marrim fitore në të gjitha ndeshjet shtëpiake dhe ndaj rivalëve inferiorë, si dhe të evitojmë humbjen në përballjet direkte, por është një kampionat shumë i vështirë, nuk ka ndodhur që 3 skuadra të shkojnë deri në fund për titull, të shohim këtë sezon.

Alla në kombëtare…

Jam shumë i kënaqur për të, nuk është pak për mua grumbullimi i tij. Është një bast i fituar për mua, është një futbollist me moshë të re dhe me të ardhme të shkëlqyer.

Kukësin pak e kanë konsideruar për titull…

Në fakt, e shoh që na kanë nënvlerësuar, edhe sulmuar, aq sa kam vënë re edhe dashakëeqësi, por pak rëndësi ka për ne. Nuk jemi rastësisht të parët, kemi punuar shumë, me një plan afatgjatë që në verën e shkuar dhe nuk jemi rastësisht në krye. E kam ndërtuar skuadrën duke pasur në fokus tri shtylla kryesore: Agresivitet, disiplinë taktike dhe përgatitje psikologjike. E gjithë skuadra e di mirë si funksionojnë këto tre shtylla dhe janë në funksion të punës dhe projektit që kemi nisur që në fillim të sezonit.

Dy muajt e parë të vitit, kalendar ferri, por asnjë humbje!

E vërtetë, luajtëm disa ndeshje mjaft të vështira, që mund të quhen edhe kurthe, ku hasëm vështirësi pa fund. Ndeshjet me Flamurtarin e Skënderbeun për shembull, skuadra tregoi forcë karakteri, dha gjithçka dhe morëm rezultat, por edhe mund të fitonim, me pak më shumë fat. Fakti që nuk po humbasim, e kam thënë edhe më parë, që është shumë i rëndësishëm psikologjikisht dhe më kënaq.

Pejiç pati disa raste të mira në Korçë, por nuk shënoi dot…

Është sulmuesi ynë kryesor, por jo gjithmonë mund të shënojë, është e qartë. Ka raste që nuk na ecën, kjo ndeshje ishte një prej tyre, por rëndësi ka që skuadra po krijon lojë e rste, në pjesën e dytë në Korçë u treguam të shkëlqyer dhe jam i kënaqur nga puna që bën Pejiç në sulm, ashtu si gjithë sulmuesit e tjerë.

Hasani u duk nervoz kur doli nga fusha, a keni biseduar?

Nuk kam biseduar me të, por besoj se është një nervozizëm momenti, si çdo lojtar që dëshiron të luajë deri në fund dhe të ndihmojë skuadrën. Është normale që të gjithë lojtarët të kenë dëshirë të luajnë dhe puna e trajnerit nuk është e lehtë në këtë drejtim, pasi gjithmonë ka vështirësi kur lë lojtarë jashtë, apo kur bën zëvendësime. Skuadra është e bashkuar dhe kjo ka qenë një ndër armët tona këtë sezon, ndaj nuk besoj se do të kemi probleme deri në fund.

Tani, pushim dy-javor…

Na duhej një pushim, pas disa ndeshjesh tepër të vështira, pasi edhe skuadra është lodhur fizikisht e mendërisht, ndërkohë që kemi pasur edhe dëmtime, aq sa në ndeshjen kundër Korabit kishim vetëm 4-5 lojtarë në stol, ku vetëm Rangel ishte në formë të plotë fizike. Gjithashtu, një pushim na shërben për të ulur pak euforinë dhe për të grumbulluar sërish energjitë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image