Gjoka: Përqendrim për Korabin, ende nuk e mendojmë Skënderbeun

0

Jurgen Zela

Pas videos së publikuar në “Fiks Fare” ku Kukësi akuzohej se kishte tentuar që të korruptonte një nga lojtarët e ekipit të Partizanit, futbolli i luajtur kishte kaluar në planin e dytë. Gjithsesi, skuadra kryesuese ka bërë mjaft mirë gjatë këtij sezoni, duke e dëshmuar diçka të tillë dhe me faktin se pas 33 javësh asnjë kundërshtarë nuk ka arritur që t’i mposhtë, ndaj në këtë moment është izoluar, duke menduar vetëm për titullin. Për “Sport Ekspres”, trajneri Gjoka ka folur për ndeshjen me Korabin, por duke evituar komentet për çështjen e videos dhe duke preferuar të flasë vetëm për çështjet që atij i takojnë, asaj të fushës së lojës.

-Pak ditë më parë është publikuar një video ku një nga menaxher i kërkonte favore një lojtari të Partizanit, sipas tij për llogari të Kukësit, cili është komenti juaj rreth kësaj çështje?

Nuk është çështja ime dhe nuk mund të përgjigjem dot. Unë merrem vetëm me situatën tekniko-taktike.

-Përballë do të jetë Korabi, një ekip në letër i lehtë, si vjen skuadra në këtë takim?

Mendoj se është një ndeshje e rëndësishme dhe jo e lehtë. Jemi në një pikë të kampionatit që është shumë e rëndësishme për ne. Është një moment delikat, ku ne duhet të bëjmë maksimumin, e kemi vlerësuar shumë kundërshtarin dhe jemi shumë të vëmendshëm për këtë takim.

-Pas Korabit vjen Skënderbeu, e mendojnë tek Kukësi këtë sfidë?

Së pari kemi ndeshjen me Korabin, të cilën duhet ta kalojmë me sukses dhe më pas do fillojmë që të mendojmë për situatën tjetër që vjen pas një jave. Duhet të jemi të qetë dhe t’i marrim gjërat me radhë një e nga një.

-Kjo javë nuk ishte e qetë, sidomos pas publikimit të videos që folëm më lart, ka pasur ngarkesë psikologjike tek lojtarët?

Ne kemi vetëm punën tonë dhe jemi besimplotë dhe shumë të qartë për atë që kemi bërë për 33 javë, kështu që ne nuk merremi me këto komente. Ne do të merremi vetëm me punën tonë dhe i gjithë fokusimi është tek ndeshja me Korabin.

-Korabi është një ekip që ju ka ndalur fazën e parë, mund të bëjë përsëri ndonjë surprizë të hidhur?

Besoj se ndeshje të lehta nuk ka. Ne po përgatitemi si për ndeshjen e radhës dhe një ndeshje shumë të vështirë. Besoj se jemi përgatitur për gjithçka. Uroj që të jetë një ndeshje sa më “fair-play” dhe ne ta kalojmë me sukses.

-Duke parë tre takimet e mbetura, mund ta quajmë përballjen me Korabin si më të lehtën?

Ndeshja me Korabin është e vështirë së paku psikologjikisht, sepse ne na duhet me patjetër fitorja. Duhet të jemi të qetë psikologjikisht, për të bërë detyrën përballë Korabit. Të tjerat do t’i mendojmë pas kësaj.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here