Gjoka: Nuk pres përforcime të bujshme, i druhem vetëm një rivali

0

 

 

Ernest Gjoka është kryesues, është pa humbje. Për herë të fundit e kishte bërë para 4 vitesh njëri që quhej Mirel Josa dhe drejtonte Skënderbeun, që në fund fitoi titullin… shenjë e fatit? Nëse Josa ka fituar shumë kampionate, Gjoka është ende në ndjekje të të parit, por ka plot kohë, sepse është ndër trajnerët më të rinj në Superiore. Me Kukësin e tij është në rrugën e duhur, por natyrisht lufta sa vjen e bëhet më e ashpër. Trajneri i skuadrës kryesuese po shijon pak ditë pushim, para rinisjes së “betejës”, me fazën përgatitore në Turqi, që siç thotë vetë Gjoka, “është shumë e rëndësishme, edhe pse do të duhej të ishte më e gjatë”.

 

Kukësi, një ide e lindur në verë, apo më herët?

Në fakt, unë kisha marrë edhe më parë sinjale, por në verë u poqën kushtet për bashkëpunim. Doja një klub me emër, të aftë të luftonte për titull, ndaj nuk kisha ndërmend të pranoja oferta nga klube që nuk e kishin potencialin për të kapur kreun. Kukësi më tërhoqi shumë si projekt, sepse ka vite që qëndron në majat e futbollit shqiptar dhe mendoj se është gati të hedhë hapin përfundimtar, që është fitimi i titullit.

I pari në ndërrimin e viteve, asnjë humbje deri tani…

Arritje e rëndësishme, por është vetëm gjysma e rrugës. 4-5 javët e parë të pjesës së dytë të sezonit do të jenë vendimtare. Vizitojmë Vllazninë, Tiranën e Laçin, presim Partizanin, ndërsa mes tyre kemi edhe ndeshje me Tiranën në kupë. Kalendar shumë i ngjeshur, shumë i vështirë. Këto javë mund të jenë vendimtare për gjithë sezonin dhe do të shohim nëse jemi përfundimisht kandidatët kryesorë për titull.

I kënaqur nga ecuria e Kukësit?

Jemi të parët, ndaj nuk ka si të mos jem i kënaqur. Skuadra ka dhënë maksimumin, besoj se kemi marrë rezultate shumë të mira, nuk jemi mundur asnjëherë dhe kemi qenë të barabartë ose superiorë me gjithë rivalët direktë për titull.

Barazimet e fundit, kundër Korabit e Luftëtarit, mund të ishin fare thjesht fitore dhe renditja do të ishte shumë ndryshe. Cili barazim ju zhgënjeu më shumë?
Të dy njësoj. Me Korabin luanim në Kukës, na ikën nga duart dyu pikë të çmuara, në një ndeshje ters, ku krijuam lojë e raste, por nuk patëm fat para portës kundërshtare, duke humbur shumë raste, ndërkohë që kundërshtari na shënoi në një ndër sulmet e pakta të ndeshjes. Në Gjirokastër e nisëm në disavantazh, e përmbysëm rezultatin dhe po e menaxhonim pa vështirësi, por Luftëtari shënoi një gol fatlum në fundin e takimit. Nuk patëm fat, ai gol nuk shënohet çdo ditë, aq më shumë që e shënoi Rapo, një mbrojtës, i cili golin e parë në Superiore ma shënoi pikërisht mua.

Megjithatë, në Gjirokastër nuk ka fituar askush…

E vërtetë, barazimi atje nuk është skandal, përkundrazi. Isha përgatitur edhe për atë rezultat, por natyrisht ashtu si shkoi ndeshja, mendoj se duhej të kishim fituar. Keqardhja është e madhe vetëm për faktin se pësuam gol në fund.

“Zeqir Ymeri” një fortesë, si ka mundësi?

Në fakt, kemi lënë pikë aty këtë sezon, nuk është se kemi qenë perfektë. Ashtu si kemi marrë plot pikë jashtë fushe, ndaj nuk mund të them që jemi një skuadër fushe. Natyrisht, stadiumi ynë e tremb disi kundërshtarin, edhe nga atmosfera që krijohet, apo vetësiguria e vrulli që ka skuadra, por fusha me bar artificial nuk është një avantazh i madh për ne, ndryshe nga sa mendojnë disa. Përkundrazi, unë shqetësohem sepse shpesh lojtarët kanë probleme të vogla fizike pikërisht nga fusha me bar sintetik. Përveç kësaj, fusha është pak më e vogël se disa fusha në Superiore, si ajo në Gjirokastër, për shembull, ku sa e pashë isha i sigurt se në minutat e para lojtarët do ta kishin pak të vështirë të ambientoheshin. Jo rastësisht, pësuam gol që në fillim.

Gjithsesi, kalendari i ngjeshur i fundvitit është përballuar shumë mirë…

E vërtetë, skuadra ka qenë perfekte fizikisht, ndaj kemi qenë në maksimum, me pak dëmtime. Megjithatë, ndërprerja e kampionatit ka ardhur në momentin e duhur, sepse lodhja po ndihej, duke luajtur çdo 3-4 ditë.

Ju duk normal kalendari i ngjeshur në dhjetor?

Pak vlerë ka, përderisa e kemi pranuar që në verë si kalendar. Më vjen më shumë keq që kampionati do të nisë që më 21 janar. Ndoshta do të ishte më mirë të niste në shkurt, që të kishim më shumë kohë riaftësimi e shlodhjeje, pa harruar provat e shumta që bëjnë klubet me lojtarët e rinj.

Meqë përmendët lojtarët e rinj, Kukësi duket klubi më aktiv…

Në fakt, ka shumë emra që qarkullojnë, por nuk do të thotë që do të vijnë të gjithë. Nuk kemi kohë për prova pa fund, na duhen lojtarë që të jenë gati. Për këtë arsye, kam kërkuar lojtarë që të jenë gati, të kenë qenë në aktivitet deri në fund të këtij viti. Përveç kësaj, skuadra është e kompletuar për mua, ndaj nuk dua ndonjë emër të madh e të kushtueshëm.

Në çfarë rolesh priten përforcime?

Me Rrumbullakun, kemi kompletuar mbrojtjen, ndaj shohim nga mesfusha e lart. Synimi është të gjejmë anësorë ofensivë, pasi në qendër jemi të kompletuar. Vetëm nëse na del ndonjë okazion, afrojmë ndonjë lojtar në rol tjetër.

Prekët mbrojtjen, ku Shameti e Hallaçi janë shtylla prej vitesh, por a e prisnit që Alla të paraqitej kaq mirë?

Në fakt, e kam ndjekur edhe më parë, ndaj nuk më befason. Natyrisht, ka punuar shumë dhe është përmirësuar në disa drejtime, si për shembull në teprimin e mbajtjes së topit në mbrojtje, gjë që e bënte shpesh më parë.

A ju kanë bindur emrat e ofruar?

Në fakt, merkatoja e janarit është mjaft e ndërlikuar, për çdo klub. Shqipëria nuk është një kampionat që tërheq emra të mëdhenj dhe në janar nuk lirohen lehtësisht lojtarët cilësorë, ndaj ose kërkohet ndonjë lojtar që ka prishur kontratën e klubin e vet, ose rrezikon, me lojtarë që nuk aktivizohen prej kohësh. Kjo gjë më tremb, ndaj do të mundohemi të tregohemi shumë të kujdesshëm, duke parë me kujdes çdo lojtar, para vendimit final.

A ka lojtarë në Superiore që do t’i merrje me gjithë qejf në skuadër, nëse do të ishte e mundur?

Janë dy apo tre, por nuk mund t’ua them emrat, për arsye etike…

Me apo pa merkato, presidenti Gjici u kërkon titullin…

Qartësisht, ai nuk e fsheh që do titullin dhe ma ka bërë të qartë që vendi i dytë është dështim për mua. Mendoj se i takon të kërkojë maksimumin, fundja ka investuar shumë.

Presion i madh, ama…

Jo, nuk ndihem nën presion, as unë e as skuadra. Natyrisht, ka kërkesë llogarie, por kjo ndodh në çdo punë e në çdo sektor të jetës. Nuk mund të presim që pas një dështimi të vijë presidenti e të na lavdërojë.

Cilit rival i druheni më shumë?

Të jem i sinqertë, i druhem më shumë Partizanit. Skuadër shumë solide, me formë fizike të admirueshme dhe që ka po aq uri sa Kukësi për trofeun e madh.

Nga grupi aktual, cilët lojtarë ju kanë befasuar për mirë?

Për hir të së vërtetës, Alla dhe Lena u përshtatën shumë shpejt me pjesën tjetër të grupit, që ka vite bashkë, diçka që nuk e prisja të arrihej kaq thjesht.

Po ndonjë lojtar që iu ka zhgënjyer, apo prisje më shumë?

Jo, nuk kam mbetur i zhgënjyer nga ndokush, por pse jo, pres më shumë nga të gjithë në përgjithësi.

Në fund, një batutë për një kolegun tuaj në vështirësi, Agostinelin në Korçë. A është ai fajtori real për momentin e keq të kampionëve dhe është normale që të kërkohet prej kohësh largimi i tij, nga tifozët kryesisht?

Nuk mendoj që Agostineli është e keqja e Skënderbeut, por është një moment negativ dhe nuk besoj se ndryshimi i trajnerit do të ishte kurimi i plagës.

Intevistoi: Blerim Jahaj

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here