Gjoka: Ndeshje e rëndësishme, jo vendimtare

0

Jurgen Zela

Nëse futbolli njeh tre rezultate, për Kukësin ndeshja me Teutën është e destinuar për vetëm një rezultat, fitoren. Verilindorët tashmë janë në një pikë ku gabimi nuk falet, pavarësisht se do të ketë ende ndeshje për t’u luajtur. Nga barazimi i Vllaznisë tek transferta e Teutës, Kukësi duket se ka rikuperuar energjitë mendore për sfidën me durrsakët, diçka që trajneri Ernest Gjoka e konfirmon për “Sport Ekspres”: “Nuk ka qenë një çështje psikologjike, por një çështje keqardhje, pasi humbëm vetëm tre pikë. U munduam që të bëjmë gjithçka, krijuam shumë raste megjithatë nuk u treguam cinikë, kjo është ajo që jo vetëm unë, por i gjithë stafi dhe lojtarët ndjejmë keqardhje. Futbolli i njeh dhe këto. Mendoj se po të kishim dhe pak fat me vete mund të kishte kaluar. Nuk kemi çfarë bëjmë, ajo mbetet e shkuar. Ne jemi në garë dhe gjatë gjithë garës të krijohen befasi të ndryshme, probleme të ndryshme. Pikërisht prej kësaj gara bëhet e bukur, sepse ne nuk jemi të vetëm, garojmë dhe me disa kundërshtarë të tjerë, që dhe ata kërkojnë me patjetër të dalin kampion ashtu si dhe ne. E rëndësishme është që ne të mos ulim ritmin, të vazhdojmë dhe të këmbëngulim për objektivin madhor që i kemi vënë vetes”.

Java e 29-të do të rezervojë përplasjen me Teutën, një kundërshtar që Kukësi këtë sezon e ka mundur në tre takime. Timonieri i verilindorëve veçon vështirësitë e kësaj sfide dhe hedh pas krahëve atë që ka ndodhur në fazat e shkuara, duke treguar se dhe kundërshtari është i dënuar për të mos dalë pa pikë: “Çdo ndeshje ka historinë e saj nuk ka shumë rëndësi se çfarë ka ndodhur në ndeshjet e kaluara. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, e cila gjithashtu do të luftojë për jetë a vdekje, pasi kërkon pikët e mbijetesës. Ka një skuadër shumë të fortë, që me ardhjen e Maganit ka ndryshuar shumë si psikologjikisht, ashtu dhe në komponentët e saj. Kjo i jep një rëndësi të veçantë njëkohësisht dhe na jep ne vështirësinë e saj. Ne do të shkojmë të marrim maksimumin. Tani jemi të dënuar që të marrim vetëm maksimumin, diçka që arrihet duke qenë të qetë, të qartë dhe cinikë me rastet që do na krijohen”.

As që mendohet një hap tjetër fals pas atij barazimi të bardhë me Vllazninë, por përsëri trajneri kryeqytetas largon presonin, pasi faza e katërt luan vetëm ndeshjen e dytë: “Kampionati është i gjatë, do të ketë përballje direkte dhe shumë ndeshje të tjera, por është shumë e rëndësishme është që ne nuk duhet të gabojmë, nëse duam që të shkojmë deri në fund”.

Presidenti Safet Gjici është një person shumë ambicioz dhe kërkues. Bosi i Kukësit nuk kënaqet lehtë, megjithatë numri një i pankinës së Kukësit tregon se Gjici i ka qëndruar pranë ekipit këtë javë, duke motivuar ekipin për të ecur përpara: “Presidenti Gjici është gjithë kohës afër ekipit, të paktën në tetë muaj që unë kam marrë drejtimin e Kukësit ka qenë në çdo situatë me ekipin. Si gjithnjë, dhe këtë javë i ka qëndruar pranë ekipit, ka qenë i preokupuar që ne të ngremë kokën dhe të vazhdojmë përpara, sepse Kukësi ka atë ëndrrën që e duan të gjithë, që nga presidenti, qyteti, lojtarët dhe stafi për të dalë kampion. Presidenti është pranë skuadrës, është pranë dëshirës së madhe për të shkuar në fund të rrugës”.

Futbolli luhet për tifozët, janë ata arsyeja kryesore se pse 22 burra vrapojnë pas një topi. Trajneri Gjoka i vlerëson maksimalisht mbështetësit kuksiane si një hallë e rëndësishme e rrugës drejt titullit kampion, si një armë që do të mobilizojë lojtarët të japin akoma më shumë nga vetja. “Për ne tifozët janë gjëja më e rëndësishme, janë motivimi, janë ndihma, janë përkrahja dhe deri më tani e kanë bërë, pasi e kanë parë që skuadra po jep maksimumin e saj. Besoj se së bashku do ia dalim. Nëse vazhdojnë dhe na përkrahin edhe lojtarët do të ndihen akoma dhe më shumë përgjegjës, apo akoma dhe më shumë egoistë për të shkuar më përpara, për t’u dhënë kënaqësinë e tyre”.

FORMACIONI

Sakrifikon Koliçi, formacioni i njëjtë

Kukësi do të jetë i njëjtë si me Vllazninë dhe përballë Teutës. Pavarësisht se me shkodranët nuk u arrit fitorja, loja duket se e ka  bindur trajnerin Gjoka që t’u besojë po të njëjtëve futbollistëve. E vetmja mungesë për këtë takim është ajo e Simon Rrumbullakut, i cili vijon fazën e riaftësimit. “Gardiani” Enea Koliçi ka pasur shqetësime në dorën e djathtë, por siç bëhet e ditur, ai do të jetë në fushën e lojës, duke sakrifikuar një farë mënyre. Koliçi vuan një dëmtim të pësuar dy javë më parë, megjithatë ai nuk mund ta lërë ekipin në një moment kaq delikat.

Formacioni i mundshëm i Kukësit

Koliçi – Hallaçi, Shameti, Alla, Imami – Kale, Lena, Musolli, Karioka – Pejiç, Emini

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here