Gjoka: Me Panuçin shoh shumë guxim. Superiorja ka lojtarë për kombëtare

0

Trajneri kampion Shqipërie me Kukësin, për “Sport Ekspres”, zbërthen ndeshjen në Alikante dhe shton: Skema ndoshta ndikoi, por krijuam edhe lojë. De Biazi shtroi rrugën, po shkojmë drejt ngjitjes

Të jesh trajner është ndoshta një punë shumë e vështirë. Të duhet shpesh edhe të mos bësh gjumin rehat. Një futbollist duhet të mendojë për veten e tij dhe asgjë tjetër, por një trajner duhet të mendojë për 22 ose 30 futbollistë, sidomos nëse stërvit një kombëtare. Ernest Gjoka, që me Kukësin shkroi historinë e futbollit shqiptar, duke fituar titullin, me vetëm 1 humbje në 36 javë, ajo në Gjirokastër, pasi ishte kurorëzuar. Tani e sheh futbollistin në rolin e analistit, por sigurisht në pritje të telefonatës që do t’i ndryshonte planet… Dhe, përshtypjet pas ndeshjes përballë Spanjës i ka rrëfyer për “Sport Ekspres”.

Si ju duk ndeshja përballë Spanjës dhe çfarë dalluat ndryshe nga herët e tjera?

Mendoj se diçka ndryshe u pa, në aspektin se përtej rezultatit, duke qenë se flasim për një ekip si Spanja, ndër më të mirat në botë. U pa që luajtëm me guxim dhe pak më të lirshëm se herët e tjera, duke krijuar edhe raste të mira shënimi, që më pas nuk ditëm të shfrytëzojmë.

Të ndalemi pak te skema, pra rreshtimi i veçantë 5-3-2. A ishte penalizim për kombëtaren dhe disa futbollistë, që nuk ishin mësuar?

Sigurisht që kur provon diçka të re, ambientimi është i vështirë edhe për ata lojtarë që luajnë në ekipet më të mira. Në këtë rast, marr si shembull Elseid Hysajn, duke qenë se ndaj Spanjës ishte futbollisti i cili u ndje pak në vështirësi. Sigurisht që rreshtimi dhe interpretimi janë dy gjëra të ndryshme mes tyre, por duhet theksuar dhe se trajneri duhet që të përpiqet të marrë më të mirën nga futbollistët e tij, duke i vendosur në atë rol ku japin edhe maksimumin dhe janë plotësisht në shërbim të skuadrës. Nuk duhet që të përmbysësh gjithçka. Hysajn jemi mësuar ta shohim në krah të djathtë, ku edhe jep më të mirën e tij.  

Por e vuajti shumë edhe qendërmbrojtja, mesa u pa?

Të them të drejtën, Ajeti m’u duk mjaft mirë dhe nuk gaboi, sepse goli i parë i Spanjës ishte vërtet i bukur, për nga mënyra se si Rodrigo lëvizi dhe goditi. Edhe portieri Berisha nuk e priste atë veprim nga sulmuesi i Spanjës. Ndërsa, mund të them që ndoshta në nivelet e tij më të mira nuk mu duk Veseli, edhe pse me Spanjën, e përsëris, është shumë e vështirë. Nëse sheh lojën e skuadrës iberike, e kupton se një gabim qoftë edhe pozicionimi apo vendimi që duhet të marrësh, mund të rezultojë deçiziv. Ata pasojnë shpejt dhe bëjnë të ashtuquajturën tiki-taka, që të detyron të jesh gjithë kohën i përqendruar.

Debutoi, sakaq, edhe Ivan Balliu, në krah të djathtë të mbrojtjes. Nota?

Më pëlqeu shumë. Edhe pse nuk u duk, pasi kundërshtari s’të jep mundësi të shfaqësh më të mirën, më pëlqen shumë. Sigurisht, në këtë kombëtare, duke qenë se në atë krah luan Hysaj, me Napolin dhe kryesues në Serinë A, do ta ketë shumë të vështirë të gjejë hapësira. E kam parë edhe me Metcin në Francë dhe po paraqitet mjaft mirë.

Të ndalemi pak te sulmi dhe te zgjedhja Llullaku-Grezda. Do ta bënit, duke lënë në stol një sulmues të vërtetë si Sadiku?

Sinqerisht nuk do ta lija kurrë në stol një si Sadiku dhe dua të shpjegoj motivin. Armando është një nga ato sulmues që mund të nxjerrë një rast nga hiçi dhe të shënojë atëherë kur nuk e pret njeri. Është nuhatës dhe problematik për mbrojtjet kundërshtare. Sa i përket Llullaku dhe Grezdës, në atë pozicionin, humbasin potencialin e tyre, pasi janë mësuar të luajnë në krah. Pra, edhe këtu pashë një farë habie te formacioni.

Një tjetër element, Memolla, në vend të Agollit. Si ju duk?

Jo edhe aq mirë. Ndoshta, me kalimin e kohës do të tregojë vlerat, por Isko & Co janë një klient i frikshëm për këdo. Ndaj, le t’i japim pak kohë, pastaj trajneri e di më mirë, pasi e sheh çdo javë. Edhe pse, doja të sugjeroja një lojtar në krah të majtë…

Cilin?

Gledi Micin. Po paraqitet mjaft mirë te Skënderbeu, pse të mos ketë një shans në kombëtare?!

Me kontingjentin që ka kjo kombëtare, a mendon se ka të ardhme?

Sigurisht që kemi të ardhme. Kemi futbollistë që janë në kulmin e moshës futbollistike të karrierës, të rinj të talentuar, si rasti i Latifit, që shumë shpejt do ta shohim titullar në këtë kombëtare, pasi ka një brum të jashtëzakonshëm. Edhe Grezda gjithashtu, Roshi është në pikun e karrierës, Hysaj dihet tashmë, por edhe shumë të tjerë. Spanjën mos e merrni si etalon matës, me Italinë besoj se do të tregojmë veten…

Kthehen disa lojtarë të rëndësishëm, si Mavraj, Kukeli dhe Roshi.

Pikërisht kështu, Mavraj është garanci në mbrojtje, Kukeli është pa diskutim ai që mungoi më shumë me Spanjën, lojtari që në pasimet horizontale është çelësi i suksesit. Një lojtar që shërben shumë edhe për të krijuar qetësi. Roshi, pastaj, në kombëtare është tjetër gjë në krahasim me klubet. Ndihet shumë komod në pozicion dhe dialogon me shokët e skuadrës. Por, gjëja më e rëndësishme për të ardhmen duhet të jetë skema që do të zgjidhet, si lëvizje futbollistike flas…

Na shpjegoni pak…

E thjeshtë. Spanja ka vite të tëra që stërvitet vetëm me mënyrën e lojës tiki-taka, pra pasime shpejt, me dy prekje maksimumi. Gjermania në një mënyrë tjetër, Brazili tjetër, Italia tjetër. Kanë identitet taktik, le ta themi kështu. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë me Shqipërinë. Nga moshat e vogla, pra U-15 e deri te kombëtarja A, të gjithë të luajnë një skemë loje, duke rritur breza futbollistësh të përgatitur për mënyrën se si do të luhet. Identiteti taktik dhe mënyra e lojës janë të rëndësishme.

Nga De Biazi te Panuçi, ndryshimi?

Jo edhe aq. Më duket njësoj, për momentin. Edhe pse, më duhet të shtoj: jemi në rrugën e duhur. Kam parë progres nga kombëtarja. De Biazi shtroi rrugën, tashmë Panuçi do ta ndjekë dhe duke ardhur duke u përmirësuar. Jam optimist.

Tani me Italinë…

Besoj se nuk do të dalim pa pikë. Ndeshja në Spanjë më dha shumë optimizëm, pasi humbja nuk është një faktor…

Lorik Cana ka thënë se shumë shpejt do të shohim kombëtaren dhe ekipet e huaja që të kenë trajnerë shqiptarë.

E vërtetë. Do të vijë ajo ditë. Po nxjerrim brez trajnerësh të përgatitur. Por, kemi vetëm një disavantazh

Cili?

Që nuk po kemi treg jashtë vendit. Ta shpjegoj, në momentin që edhe ne do të provohemi jashtë vendit, në bankina të tjera, do të rritet profesionalisht lëvizja e trajnimit në Shqipëri. Po të bëj një shembull, trajnerët kroatë, shumë vite më parë, nuk ishin kaq të njohur sa tani, pasi stërvitnin vetëm në vendin e tyre, po kur nisën të dilnin nëpër botë, nga Irani në Arabinë Saudite, morën famë dhe prestigj.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here