Gjoka: Më befasoi vetëm Partizani, golat i pres nga Bakaj e Bushiç

Ish-trajneri i Kukësit analizon javën e parë të Kategorisë Superiore, duke e pranuar se humbja e Partizanit ishte një blof i madh

Ernest Gjoka është tashmë pa skuadër, pas divorcit me Kukësin, por në asnjë mënyrë nuk e shkëput vëmendjen nga Kategoria Superiore, edhe për faktin se vazhdon të jetë aktiv në televizion, duke analizuar ndeshjet e futbollit tonë dhe jo vetëm ato. “Sport Ekspres” i ka kërkuar trajnerit kampion në fuqi që të bëjë një përmbledhje të javës së parë të sezonit të ri dhe Gjoka nuk është ndalur vetëm te ndeshjet, por edhe te fenomene të tjera të Superiores, si rindërtimi i disa skuadrave gjatë verës, apo loja e parë gjatë ndeshjeve të fundjavës, ku ra në sy se shumë pak gola erdhën nga sulmuesit. Sezonin e shkuar Gjoka kishte një gjigant si Pero Pejiç në skuadër, apo edhe Eminin, ndërkohë që janë larguar edhe Salihi e Ekuban, ndaj Superiorja duket se është varfëruar, por trajneri i njohur nuk e sheh si problem madhor dhe parashikon cilët lojtarë do të synojnë majat e renditjes së golashënuesve këtë sezon.

Skënderbeu-Flamurtari – “Isha më shumë kurioz të shihja Flamurtarin, sepse është ndërtuar nga e para, ndërsa Skënderbeun e kemi parë gjithë verën dhe dihet forca e kësaj skuadre. Nuk ishte cinik sa duhej, por ekipi më pëlqeu, është shumë i mirë. Nuk duhet të harrojmë që luante përballë një Skënderbeu shumë të fortë dhe në formë perfekte. Flamurtari ka vuajtur gjithnjë në Korçë, ka fituar vetëm një herë aty, për kupë, që prej ngjitjes së Skënderbeut në majat e futbollit shqiptar. Mendoj se Flamurtari do të përmirësohet ndjeshëm, ka një ekip të mirë dhe një sulm të mirë. Edhe Danilo Alvesh, sapo të arrijë formën optimale, do të ecë shumë mirë, sepse është lojtar që vrapon pa fund dhe krijon lojë që ndihmon shumë skuadrën. Flamurtarit i duhet thjesht kohë, do të rritet ndjeshëm, edhe në mbrojtje, ku gabuan ndaj Skënderbeut. Janë ndeshjet e para, duhet kohë.

Skënderbeu dhe Europa – “Nuk do të jetë pengesë, përkundrazi. Edhe para dy vitesh Skënderbeu e përballoi shumë mirë kampionatin. Pjesëmarrja në Europë i rrit shumë edhe psikologjikisht dhe do të ndihen superiorë ndaj çdo rivali në Shqipëri. Latifi? Lëvizje e zgjuar, Skënderbeu ka një organizim të shkëlqyer dhe ka gjetur mënyrën edhe të fitojë financiarisht, edhe të prodhojë lojtarë. Latifi është i vështirë për t’u zëvendësuar, por Daja ka lojtarët e duhur për ta zëvendësuar gradualisht. Strategjia e klubit është e shkëlqyer, edhe Xhejms e bëri mirë detyrën që iu dha”.

Kukësi-Kamza – “Kukësi duhet pritur, janë larguar 5 emra shumë të rëndësishëm, të gjithë të fazës sulmuese. Dy lojtarët që kanë realizuar shumicën e golave janë larguar, ndaj nuk është e lehtë të rindërtosh skuadrën. Megjithatë, jam i bindur se Bakaj, Shtubina, Zeqiri e Alijev, por edhe Elton Kale që është integruar tashmë, do të ecin mirë në sulm, por u duhet kohë. Nëse bëhet kjo, Kukësi do të jetë i frikshëm dhe nuk duhet harruar që Kukësi është në fron, nuk është e lehtë ta zbresësh. Sa për Kamzën, është bërë thuajse nga zero, ndaj nuk e prisja aq mirë dhe është një ekip që premton shumë, pas disa javësh do të jetë shumë më e fortë se tani”.

Partizani-Laçi – “Partizani ishte blofi i javës. Ishim të gjithë kuriozë ta shihnim Partizanin e riorganizuar. Në Shqipëri ka ndeshje specifike si ajo me Laçin. Laçi është ekip i veçantë, që do shumë kujdes dhe duhet njohur mirë. Luan gjithnjë me agresivitet, jep 100% dhe trajneri Stavri Nica u merr më të mirën, me një organizim perfekt në fazën mbrojtëse. Ndoshta te Partizani nuk e kishte kuptuar mirë filozofinë e kundërshtarit, ndoshta se trajneri sapo ka ardhur, ose ndoshta se nuk e kishin studiuar mirë përbërjen e kundërshtarit. Në një ndeshje të tillë mendoj se lojtarët shqiptarë do të ishin më të përshtatshëm për të luftuar në një ndeshje të tillë, sepse janë më gati psikologjikisht dhe e dinë çfarë i pret ndaj Laçit”.

Juliano – “Mendoj se nuk mund të gjykohet, është tepër herët. Duhej ta kishin ndihmuar që ta studionte më mirë Laçin, një skuadër me një specifikë të veçantë. Ishte vetëm ndeshja e parë, gjithsesi, nuk është një humbje shumë shqetësuese. Thjesht lojtarët e huaj kanë nevojë të përshtaten me futbollin shqiptar. Klubi duhet të tregohet i aftë që t’i integrojë lojtarët e huaj dhe të mos ketë fare dallime me lojtarët e ashtuquajtur veteranë, që i kanë gjetur aty”.

Teuta-Luftëtari – “Duke ndjekur lëvizjet e klubit dhe duke njohur Maganin, kam përshtypjen se Teuta do të jetë një kockë shumë e fortë. Klubi ka ambicie të mëdha dhe me sa pashë në ndeshjen e parë, ambiciet i kanë të justifikuara. Për Luftëtarin nuk jap dot një ide të saktë, sepse në Durrës nuk u luajt shumë futboll dhe kishte shumë nervozizëm. Megjithatë, mendoj se Luftëtari do të luftojë deri në fund për mbijetesë”.

Lushnja-Vllaznia – “Lushnja është një ekip që do të mundohet të mbijetojë, por do të vuajë shumë, për arsye të shumta. Kishte përballë një Vllazni me eksperiencë, e aftë të fitojë kudo, që është përforcuar me emra mjaft cilësorë si Hasani, Vucaj e Gilman Lika. Nëse Vllaznia nuk vendos objektiva dhe i merr ndeshjet një nga një, pa rënë pre e euforisë, mund të bëjë gjëra shumë të mira, duke luftuar edhe për Europën”.

Rindërtimi i skuadrave – “Janë politika të klubeve, secili gjykon vetë si e ndërton skuadrën. Është e vërtetë që disa klube kanë rindërtuar skuadrat, ose kanë ndryshuar shumë lojtarë. Për mua, boshti i skuadrës është shumë i rëndësishëm dhe këtë kam kërkuar gjithnjë në skuadrat që kam drejtuar. Suksesi i Skënderbeut vjen edhe nga fakti që boshti është aty, prej vitesh, ndërsa të tjerët duhet të durojnë, të mos nxitohen”.

Sulmuesit – “Si fillim, skuadrat nuk njihen dhe u luajt me shumë frikë në javën e parë. Ndeshjet e para janë më shumë ndeshje studimi, me trajneët që mundohen të gjejnë formacionin e duhur, por edhe të njohin rivalët. Pas 3-4 javësh skuadrat do të çlirohen dhe do të shohim futboll më sulmues. Është e vërtetë që janë larguar yjet e sezonit të shkuar, por ka të tjerë mjaft cilësorë. Çani është emër i rëndësishëm dhe jam kurioz ta shoh si do ambientohet në Shqipëri, por unë mendoj se sulmuesi Elis Bakaj ka shanse të mëdha të shënojë mbi 15 gola, ka cilësi dhe do të ketë shumë shanse për shënim te Kukësi, ashtu si Bushiç te Flamurtari, sepse këtë sezon do të ketë një skuadër më të fortë që ta mbështetë”.

Futbolli mbrojtës – “Është një strategji që e ndjekin të gjithë, po luhet me shumë kujdes, duke u mundur të evitohet pësimi i golit. Ndoshta me vazhdimin e kampionatit do të ndryshojnë ndeshjet dhe trajnerët do të luajnë më hapur. Këtë kritikë ma bënin edhe mua sezonin e shkuar, në fakt, por shifrat tregonin të kundërtën, sepse Kukësi shënoi pa fund, pësoi shumë pak gola, shënoi me të gjithë mesfushorët dhe krijonte raste për shënim në të gjitha mënyrat e mundshme. Të jemi realistë, në Shqipëri nuk luhet dot futboll i bukur e spektakolar, është e kotë që t’i përdorim këto terma, për çdo ekip. Shifrat dhe statistikat flasin vetë, golat e shënuar, golat e pësuar, si përballesh me rivalët direktë, kundër cilit rival ishe inferior në aspektin e lojës. Kukësin e sezonit të shkuar nuk e dominoi asnjë rival, kjo ishte forca e skuadrës, ndaj nuk u kam kushtuar asnjëherë rëndësi fjalëve për lojë mbrojtëse të Kukësit”.

Sezon pa Tiranën – “Tirana mbetet Tiranë, ikonë e futbollit shqiptar, i ka dhënë shumë futbollit shqiptar dhe do të ishte mirë që të ishte në Superiore. Tani ka rënë, koha do ta vërtetojë nëse i ka bërë mirë kjo rënie. Kategoria e Parë nuk është e lehtë, sepse ndeshja e Superkupës nuk është e njëjta gjë me ndeshjet e së Parës. Kundër Kukësit skuadra ishte mjaft e mobilizuar, duhet parë si do të sillet me ekipe inferiore dhe pa emër të madh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *