Gjoka: Kukësi di si të fitojë trofe, çantën e kam gjithmonë me vete

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, foli para mediave sot në konferencën e zakonshme për shtyp, para ndeshjes finale kundër Tiranës. Luhet Kupa e Shqipërisë dhe ky trofe është një nga objektivat e Kukësit këtë sezon, prandaj te verilindorët e kanë vlerësuar në maksimum. Në fjalën e tij, Gjoka tha:

“Kukësi ka bërë një kampionat me shumë probleme, por të paktën arriti një nga objektivat, që ishte ta mbyllte sezonin si nënkampion i Shqipërisë. Mendoj që Kupa tashmë është një objektiv tjetër, obligim për skuadrën. Do të jetë një ndeshje e vështirë, përballë një skuadre të një niveli shumë të mirë, me një histori shumë të madhe.

Unë si trajner i Kukësit besoj dhe shpresoj ta fitojmë Kupën, pasi kjo skuadër ka bërë gjëra shumë të mira në vitet e fundit. E kanë treguar dhe renditjet e Kukësit në kampionat ndër vite, ku pozita më e keqe ka qenë vendi i tretë. Ka marrë kampionat, kupë, superkupë, një skuadër që di të fitojë trofe”.

E ARDHMJA – “Unë jam mësuar me zërat dhe nuk më shqetësojnë. Puna e trajnerit me një ekip të elitës, është gjithmonë risk. Puna jonë vlerësohet dhe matet vetëm me rezultat. Trajneri duhet të ketë çantën afër vetes gjithmonë, dhe unë e kam afër vetes. Gjithsesi, unë nuk shqetësohem dhe nëse arrijmë objektivat dhe presidenti do që të ketë bashkëpunim edhe vitin tjetër, pse jo,”, përfundoi Gjoka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *