Gjoka: Ja çfarë na duhet në merkato, askush nuk ka garanci

Kamza siguroi një trepikësh shumë të rëndësishëm përballë Skënderbeut. Goli i Masato Fukuit i dha fitoren vendasve, të cilët ngjiten në kuotën e 15 pikëve, duke spostuar Tiranën në zonën e ftohtë për momentin.

Ernest Gjoka ka folur pas ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke u shfaqur i lumtur për triumfin. Trajneri i Kamzës vlerëson paraqitjen e ekipit, flet për taktikën e ndeshjes, tregon nevojat e merkatos dhe e mbyll me luftën e fortë për mbijetesën.

NDESHJA – “Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Skënderbeu ka një skuadër të mirë dhe ka një filozofi loje që të bën të harxhosh shumë energji. Kjo fitore erdhi në momentin e duhur, pasi kemi vuajtur shumë dhe është një fitore qetësie, por edhe na jep besim për të ardhmen”.

MERKATO – “Uroj të kemi ndonjë dhuratë, pasi edhe ekipi ka nevojë të forcohet. Nuk e kam pasur ekipin e plotë. Kemi vuajtur dhe kemi pasur ndryshime. Sot, Teqja ka luajtur i dëmtuar dhe e komplimentoj, pasi ka dhënë maksimumin. Nuk mund të shkojmë shumë gjatë kështu. Nuk është e lehtë të gjesh lojtarë në këtë periudhë të merkatos”.

DËSHIRAT – “Për momentin ato emra që duam ne apo trajneri mund të jenë të zënë. Ne do të shikojmë dhe të shpresojmë që të ketë ndonjë rotacion në ndonjë skuadër, kemi nevojë për afrime ne repartin e mbrojtjes, që të kemi ndonjë alternativë. Na duhen lojtarë shqiptarë, pasi të huaj kemi mjaftueshëm. Po shohim, nuk po gjuajmë, më vonë do të nisim të gjuajmë për lojtarët”.

MBIJETESA – “Lufta për mbijetesë është e fortë dhe nuk ka garanci. Të katërta skuadrat kanë luftë të vazhdueshme dhe nuk mund të veçojmë ndonjërin. Duhet të flasim me drejtuesit dhe pse jo t’i ndihmojmë. Afrimet duhet të jenë shqiptarë, pasi të huaj kemi mjaftueshëm, sidomos në mbrojtje. Është e vështirë që një skuadër të luajë pa dy mbrojtës, si një shtëpi që nuk ka çati”.

KUNDËRSHTARI – “Duke e njohur Skënderbeun, duke ditur pikat e forta ne kishim marrë masat shumë mirë. Arritëm të bëjmë atë që deshëm. Krahët nuk i funksionuan siç duhet kundërshtarëve. Ishte e rëndësishme të ishim në ekuilibër dhe të dinim me shpejtësi nga krahët”.

MARTINENA – “Martinena ka munguar prej një kohe të gjatë dhe është e vështirë. Çdo lojtar do e humbiste ritmin. Nga kur kam ardhur, me aq sa e njoh dhe nga eksperienca e tij doja ta ngrija, por nuk e bëj dot menjëherë. Uroj shumë që në fazën tjetër të jetë një sulmues tjetër, së bashku me Sebinon”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *