Gjoka flet edhe për derbin Tirana-Partizani: Trajnerët duhet të rrinë me çantën gati!

Trajneri i njohur në Shqipëri, Ernest Gjoka, ka folur dhe ka bërë një analizë të shkurtër sa i përket derbit të kryeqytetit që do të zhvillohet në fundjavë. Bëhet fjalë për përballjen mes Tiranës dhe Partizanit që do të luhet në ditën e dielë.

Gjatë një interviste për “Report TV”, Gjoka ka vendosur theksin se Tirana ka shumë shanse ta fitojë derbin, nëse do të di sesi të sillet në fushë. “Nëqoftëse Tirana do të di të sillet në fushë, nëqoftëse Tirana do ta kërkojë fitoren me patjetër, me këmbëngulje, me dëshirë, që është edhe një kompent i strategjisë, mund ta fitojë derbin. Po për tia arritur qëllimit duhet shumë durim, duhet vullnet i hekurt, disiplinë taktike. Gjithashtu duhet edhe cilësia që Tirana e ka. Nëqoftëse Tirana të gjithë këta komponentë do të di ti përcjellë në fushë mund ta fitojë derbin pasi ka përballë një Partizan që nuk është akoma aty ku duhet”.

Kur flitet për shanset e një shkarkimi të mundshëm të Lerdës, që nuk po arrin rezultatet e duhura, Gjoka ka shtuar: “E kam thënë, e them dhe e përsëris se ne trajnerët duhet të rrimë gjithmonë me çantën gati, sepse ku ti merr një risk, duke drejtuar ekipe si Partizani, Tirana, Kukësi, Teuta, këto ekipe që pretendojnë të dalin patjetër kampion, duhet ta pyesësh veten mirë. Nëqoftëse nuk ke ecuri, absolutisht dihet që edhe mund të ikësh”. /Sport Ekspres/