Gjoka: Duam fitore, e bukur apo e shëmtuar qoftë

Trajneri i Vllaznisë: Kemi presion, por besoj se do e kalojmë me sukses. Sukaj është shumë i rëndësishëm për ne

Gaspër Marku

Vllaznia do të luajë sot kundër Teutës, prej orës 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Një sfidë jetike në fundin e tabelës, pasi shkodranët dhe durrsakët kanë shumë nevojë për këto pikë.
Trajneri Ernest Gjoka kishte ditë të tëra që qëndronte larg medies, ndërkohë që një ditë përpara sfidës me durrsakët vendosi të flasë për shtypin. Mendimet e tij për pragndeshjen Vllaznia-Teuta, trajneri i kuqebluve Ernest Gjoka ka preferuar t’i përcjellë vetëm për kamerën zyrtare të Klubit të Futbollit Vllaznia, veprim ky në fakt nuk është pritur fort mirë nga ana e përfaqësuesve të medies.
– Skuadra dy ditë përpara ndeshjes e grumbulluar. A tregon kjo rëndësinë që ju i keni kushtuar kësaj përballje me Teutën?
– Po, sigurisht që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, sepse ne e dimë që jemi në një pikë kritike, nga i pari unë dhe deri tek sportisti i fundit. Grumbullimet mendoj se janë të rëndësishme, sepse unë i kam provuar edhe vjet kur isha trajner i Kukësit. Dy ditë përpara shkonim në Kukës, dhe kjo na jepte shumë qetësi, shumë profesionalizem, e bënte grupin më të përgjegjshëm, rrinim bashkë, ushqeheshim më mirë, flinim më mirë. Kështu që them se këto janë gjëra të rëndësishme dhe të domosdoshme në futbollin sot. Këtu tek ne, ndoshta nuk janë mundësitë që gjithmonë ta bëjmë, por bota e jashtme i bëjmë gjithë kohës këto lloj grumbullimesh për ndeshje që janë të rëndësishme për pikë gjatë kampionatit. Kështu që edhe për këtë ndeshje falenderoj shumë presidenten, kryetaren e Bashkisë që na e dha këtë mundësi. Dua të them se duhet të jetë vazhdimisht, sepse skuadra ka nevojë për qetësi dhe reflektim, dhe ku ka më mirë se sa me sistem grumbullimi.
– E keni konsideruar ndeshjen me Lushnjen jetike, por edhe kjo me Teutën do të jetë e tillë
– Sigurisht që ka qenë jetike dhe po kështu të gjitha ndeshjet për ne janë jetike. Për momentin ku ndodhemi, për ne nuk ka më asnjë moment qetësie deri sa të dalim nga ky ngërç. Ky kampionat ka treguar se është shumë më i egër se i vjetshmi, ka treguar se në në qoftë se do të ecim mirë dy-tre ndeshje mund të mendojmë sikur po marrim frymë. Por, nuk është aspak e vërtetë. Kjo ndeshje ka një rëndësi shumë të madhe dhe ka vështirësitë e saj.
– Shpesh herë Teuta ka regjistruar rezultate pozitive në “Loro Boriçi”. Si do të mundohet Gjoka dhe Vllaznia ta prishë këtë ters të shkodranëve?
– Unë nuk jam nga ata trajnerë që filloj dhe mendoj se si ka qenë historia, sepse në futboll shpesh herë janë të shpejta, të kalueshme dhe mendoj se ne duhet të shohim përpara. Kështu që unë e shikoj këtë ndeshje si të rëndësishme për momentin ku jemi. Nuk shoh se çfarë ka qenë si histori, kështu që ne mendoj se jemi fokusuar shumë si skuadër për ta kaluar këtë. I kemi mundësitë dhe po të jemi të qetë dhe agresive ashtu si edhe në ndeshjen me Lushnjen, do të shikojmë përsëri një Vllazni tjetër.
– Çfarë do të ndryshojë Gjoka në këtë ndeshje?
– Nuk mendoj se do të kemi ndonjë gjë ndryshe, por për momentin nuk kemi të gatshëm Bardullën që është dëmtuar gjatë javës, por edhe Pjeshka që përsëri ka atë shqetësimin e vjetër që e ngacmoi në stërvitje. Stafi po përpiqet, sepse e kishim menduar që ndoshta mund të ishte edhe titullar në krahun e majtë, por që gjithsesi i kemi mundësitë kemi Mersinin, Ruqin, Markun, kemi lojtarë për ta parë me qetësi. E rëndësishme është që ne të ndryshojmë mentalitetin, të jemi agresiv, e rëndësishme është që kundërshtari të vuajë në ndeshje dhe të dimë të sillemi si profesioniste për të arritur ta marrim ndeshjen. Kjo është ajo që ne po i kërkojmë skuadrës dhe kjo është ajo që ne së bashku me skuadrën po mundohemi të bëjmë.
– A luan Vllaznia për fitore nesër?
– Ne nuk kemi asnjë alternative tjetër dhe ky është problem kryesor. Kur them që ngërçi psikologjik dhe stresi është për këtë arsye, sepse në momentin që jemi, sado skuadër elitare që të jetë, në këtë moment duhet të dimë të përballojmë shumë aspekte të jashtme për të kaluar momentin. Kështu që unë them se në qoftë se skuadra do të jetë e qetë brenda fushës së lojës, uroj dhe shpresoj që të jemi të gjithë bashkë për të ecur përpara, atëherë mendoj se kjo ndeshje do të kalohet me sukses.
– Sukaj nuk e ka qenë i qetë deri në ndeshjen me Lushnjen. Mendoni se e ka fituar tashmë qetësinë dhe mendoni se është ai Sukaj që kërkohet në ndeshjen me Teutën?
– Po, sigurisht që Sukaj nuk e ka pasur qetësinë, sepse po e përjeton shumë ardhjen në Shkodër dhe atë përgjegjësi që ka marrë. Unë e kam thënë që kur e kemi marrë se Sukaj ka nevojë për kohë, sepse vinte nga një dëmtim, nga një mosaktivizim me Partizanin, nga një natyrë ndryshe stërvitjeje dhe sot ka ardhur ku përveçse është stërvitur mirë dhe përgjegjësinë e madhe që ka marrë është pozitiv në grup duke marrë edhe një përgjegjësi të jashtëzakonshme për të bërë detyrën mirë. Kjo e ka bërë pak të ngurtë, por unë pres nga Sukaj jashtëzakonisht shumë, sepse i ka cilësitë. Kështu që duke pasur ato cilësi, Sukaj, Lika, dhe disa çuna të tjerë me eksperiencë do të bëhen lokomotiva e kësaj skuadre.
– A do të zhgënjehen sërish tifozët?
– Ky është një ndër problemet që më shqetëson më shumë sepse nuk po jemi të zotët akoma t’u japim ngrohtësi dhe dashuri për ekipin e tyre. Po mundohemi shumë, atë kemi folur edhe me skuadrën që t’u japim kënaqësi qytetit dhe tifozëve tanë që ata të ndjehen krenar dhe të na mbështesin gjatë të gjithë kohës. Unë besoj dhe uroj që do të jetë ndryshe dhe mendoj se të gjithë bashkë do të dalim nga stadium të gëzuar në fund të ndeshjes.
– Një Vllazni sulmuese për të marrë fitoren, apo një Vllazni e kujdesshme për të marrë rezultatin e duhur?
– Në futboll duhet të jesh pak pragmatist, e rëndësishme është që në këto momente të arrijmë fitoren, po arritëm fitoren çdo gjë do të jetë mirë. Jemi në momente delikate dhe nuk duhet të kalojmë në eufori, nuk duhet në çdo moment edhe në qoftë se do ta kemi nën kontroll lojën të kalojmë në eufori dhe të lëmë hapësirë. Këto janë ndeshje që duhen fituar me çdo kusht, nuk ka rëndësi e bukur apo e shëmtuar, e rëndësishme është që të kalohet me sukses.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *