Gjoba dhe premio, Bime vëzhgon Luftëtarin

0

 

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, njëkohësisht presidenti i Luftëtarit, pasditen e djeshme, pa i njoftuar më parë, ka shkuar në terrenin ku stërvitet ekipi. Ndonëse shumica e futbollistëve ishte larguar nga “Fusha e Vjetër” iu bë me dije se për fitoren në Kuçovë do të kenë një milionë e pesëqind mijë lek, ndërsa në rast barazimi, vetëm një milionë lekë. Njëkohësisht, u ka bërë me dije se do t’i qëndrojë masave ndëshkimore të deklaruara më parë dhe konkretisht u komunikoi të pranishmëve, mbasi Lluka dhe Rexha nuk ndodheshin prezent, se të dy këta futbollistë janë të gjobitur me nga 50 mijë lek për kartonët që sipas tij  ishin për thyerje disiplinore dhe jo si rezultat i lojës së fortë. ”Do të qëndroj korrekt me ju në çdo drejtim dhe nuk do të bëj asnjë lëshim kur nuk do të jeni ju korrekt me mua dhe me rregulloren”, u ka bërë me dije futbollistëve z. Bime. Stërvitjen e ditës së djeshme trajneri Bledar Devolli e ka zhvilluar me kohë të plotë, por vetëm me një seancë duke e mbyllur atë me praktikimin e gjuajtjeve në portë në pozicione të ndryshme duke imituar goditje standarde më qëllim vendosjen e mbrojtjes në pozicionet e duhura. Kapiteni i skuadrës, Fejzo Shenaj, lidhur me këtë ndeshje shprehet se: ”Është ndeshje e vështirë, jo se luajmë me Naftëtarin, por në grupin tonë skuadrat nuk kanë ndryshim nga njëra-tjetra dhe me afrimin e fundit të kampionatit, ndeshjet bëhen edhe më të vështira për t’u fituar, sidomos ato në transfertë. Janë shumë skuadra në garë për vendin e parë dhe Shkumbini e Naftëtari ndoshta nuk pretendojnë ngjitjen në Superligë, por as që të zbresin nga kategoria. Pesë pikë kemi më shumë nga Naftëtari dhe vetëm fitorja na “bën punë”. I shkëputemi më shumë vendeve të fundit dhe njëkohësisht pretendojmë bashkë me ekipet e tjera Superligën”, shprehet kapiteni i skuadrës së Luftëtarit, F.Shenaj.                           G. Beqiri

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here