Gjithçka jashtë parashikimeve, Vucaj rrezikon të mbetet jashtë!

Asambleja e Vllaznisë u mblodh, por bëri një “vrimë” në ujë. Mes debatesh të ashpra u miratuan pasqyrat financiare, por më së shumti në mbledhje e kishin mendjen të gjenin fajtorë dhe jo të jepnin zgjidhje. Tipike shqiptare, na pëlqen vetëm të akuzojmë. Nëse Vllaznia ka rënë në Kategorinë e Parë, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak bëjnë pjesë në “liga rajonale”.

Ende gjithçka mbetet në ajër. Ende klubi nuk ka drejtues, mungon administratori dhe Bordi Mbikëqyrës, mungon trajner dhe lojtarët nuk e dinë fatin e tyre. Privatizimi? Kushedi se kur do të bëhet. Nga mbledhje e djeshme nuk janë mërzitur vetëm në Shkodër, por edhe në Gjirokastër.

Erjon Vucaj i është bashkuar Luftëtarit dhe në miqësoren kundër Rabotniçkit ishte titullar. Millosh Kostiç po i bën llogaritë me të në kupat e Europës, por mesfushori rrezikon shumë që të marrë lejekalimin. Pa një administrator te Vllaznia, fantazisti shkodran mund të bllokohet dhe të mos regjistrohet dot në kohë me Luftëtarin.

Në Gjirokastër shpresojnë që tani të shkojnë mirë punët te Vllaznia, ndryshe do u prishen të gjitha planet. Vucaj është menduar si zëvendësuesi i Eduart Rrocës, pasi ky i fundit ende nuk është gati plotësisht që të luajë pas probleme që ka pasur me muskujt e barkut në fund të kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *