Gjimshiti në Serinë A, radha është e gjatë

Sezonin e fundit Berat Gjimshiti shpërtheu: tek Avelino u paraqit në mënyrë fantastike, duke qenë një titullar i paprekshëm dhe lider tek ekipi i Serisë B italiane. Aty Gjimshiti ishte në huazim nga Atalanta, që tashmë e ka kthyer në shtëpi, por ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Pas një sezoni fenomenal në Serinë A, duke u kualifikuar për në Europa League, Atalanta rrezikon të humbasë disa titullarë, ndaj Gjimshiti mund t’i vlejë, por nga ana tjetër, vetë qendërmbrojtësi i kombëtares sonë kërkon të luajë rregullisht dhe nuk ka dëshirë që të jetë një rezervë në Bergamo. Përveç kësaj, disa klube të Serisë A e shohin Gjimshitin si një alternativë serioze për sezonin e ardhshëm, ndaj janë vënë në radhë.

24-vjeçari ka kërkesa nga Benevento, Krotone e Kievo, të gjitha skuadra që janë interesante mbi të gjitha për faktin se mund t’i gjejnë një vend në formacion Gjimshitit. Kievo është një klub më i konsoliduar, por e dëshiron Gjimshitin përfundimisht, jo në huazim, pasi kërkon ta ketë investim të vetin. Në krahun tjetër, Krotone e Benevento nuk janë të gatshëm të shpenzojnë shumë, ndaj edhe një huazim nuk është problem dhe ndoshta kjo zgjidhje i pëlqen Atalantës, me shpresën se një sezon i mirë në A do t’ia rritë ndjeshëm vlerën në treg qendërmbrojtësit tonë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *