“Gjimshiti na ka dhënë ekuilibrin”, trajneri i Atalantës flet nga larg: Kjo skuadër nuk ma ka më nevojën

Nga Klaudio Ndreca

I çuditshmi Gasperini! Trajneri i Atalantës nuk mundi që ta përjetonte nga më afër përmbysjen e çmendur që bëri skuadra e tij ndaj Lacios, ekipit që pretendonte titullin kampion. E kjo për fajin e tij, teksa në ndeshjen e fundit kur skuadra nga Bergamo po fitonte 4-0 ndaj Sasuolës, kishte rezerva ndaj gjyqtarit duke ngritur zërin dhe duke u ndëshkuar me kartonin e kuq.

Pikërisht për këtë arsye takimin ndaj Lacios do ta shihte nga tribuna, atje ku vendi nuk e mbante as për një ndeshje normale, e jo më nëse flasim për emocionet e asaj përballje të djeshme. Kryeqytetasit kaluan në avantazhin 0-2, por do të përmbysej nga Atalanta, me këta të fundit që tregojnë formën e jashtëzakonshme që po kalojnë me Gasperinin. Trajneri në fjalë ka treguar gjithë emocionet e përjetuara, ndërsa nuk ka munguar edhe vlerësimi për Berat Gjimshitin që luajti për 90 minuta kundër Lacios.

“Kur je në stolin e tifozëve ndihesh keq pasi nuk ke kontakte me lojtarët, e përjeton ndeshjen në një tjetër mënyrë. Më duhet të them se kjo fitore më ka dhënë një kënaqësi të madhe. Kam ndjenjën se kjo skuadër ka nevojë gjithmonë e më pak për mua, e di shumë mirë se çfarë bën. Kemi ndryshuar diçka pas fillimit të vështirë, kishim pjekurinë, sigurinë, besimin në lojën tonë. Nuk ç’montohemi kurrë dhe në momentin që rritet vështirësia. Në të tilla raste lindin edhe fitoret më të mira.  Duke lëvizur Toloin dhe Gjimshitin kemi gjetur ekuilibrin e duhur në mbrojtje. Kemi lojtarë të fortë, me Gosens që e ka rritur aftësinë e shënimit me kalimin e kohës, Hateboer që është gjithmonë i rrezikshëm, Gomez që është universal, teksa ti e vendos aty ku të duhet dhe ai të jep gjithmonë më të mirën”, ka thënë Gasperini. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *