Gjimshiti: Isha pranë largimit, Ikardin e ndalova me ndihmën e shokëve

0

Në verë ishte me valixhe në duar dhe në kërkim të një ekipi i ri. Kartonin e Berat Gjimshitit e zotëronte Atalanta, por mbrojtësi shqiptar shihej më shumë larg, sesa afër ekipit bergamask. Sapo kishte mbyllur një sezon pozitiv në aspektin personal me Beneventon, ndërsa trajneri Gasperini vendosi për t’i dhënë një shans 25-vjeçarit.

Ai uli kokën, punoi fort, u tregua i përulur dhe i duruar, ndërsa sot është një pikë e fortë e mbrojtjes së Atalantës. Në fitoren e thellë kundër Interit erdhi dhe goli për Gjimshitin, i cili ka folur për “Corriere dello Sport”. Vështirësitë e verës, momenti i mirë, rikthimi te rezultatet pozitive, kërkesat e Gasperinit dhe momenti aktual. Ekipi ku luan dhe Etrit Berisha ndodhet në vendin e 8 në renditje dhe zona Champions është vetëm 4 pikë larg.

ATALANTA – “Sezonin nuk e nisëm mirë, por isha i bindur që do të riktheheshim të rezultatet pozitive. Kemi luajtur gjithmonë shumë mirë, jemi stërvitur me intensitet të lartë dhe nuk jemi dorëzuar kurrë.”

FITORJA ME INTERIN – “Çdo herë që zbres në fushë, e bëj me shpresën për të dhënë më të mirën. Luajta mirë kundër Interit, por merita duhet të ndahet me ekipin. Nëse arrita të ndalja Ikardin, ndodhi dhe në sajë të shokëve, të cilët kufizuan furnizimin me topa të argjentinasit.”

KONKURENCA – “Në janar kthehet Varnier dhe ka shumë konkurrencë në mbrojtje. Por, për mua nuk është problem, përkundrazi, është një stimul për të gjithë për t’u përmirësuar, për të mbajtur lart përqendrimin dhe për të dhënë gjithmonë maksimumin.”

QËNDRIMI – “U thirra për përgatitoren e Rovetës, kur kisha propozime nga skuadra të tjera. U kënaqa sepse gjithmonë kam dashur të luaja shanset e mia në Bergamo dhe të tregoja vlerat e mia. Kur u bëra përfundimisht pjesë e kontingjentit, Gasperini thjeshtë më kërkoi të stërvitesha fort. Kam mësuar shumë taktikisht nga trajneri. Gasperini është një trajner, i cili fokusohet te mbrojtja dhe kërkon shumë presing. Kisha nevojë për pak kohë për t’u përshtatur. Përgjithësisht, Italia ka nivel më të lartë taktik se Zvicra.”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.