Gjigantët anglezë në fushë, nis “gjuetia” ndaj Çelsit

Pushimeve u erdhi fundi dhe që nga sonte në mbrëmje Premier liga rikthehet përsëri, duke premtuar një sezon më spektakolar se kurrë. Futbolli elitar në ishull do të startojë me takimin mes Arsenalit dhe Lester Sitit, teksa vetëm 4 ditë më pas Premier do të festojë përvjetorin e 25-të të saj. Një sezon jubilar, i një prej kampionateve më tërheqës në botë, që ndryshoi të gjithë historinë e futbollit në ishull që nga sezoni 1992-1993 kur  kaloi nga formati i vjetër në formatin e ri me të cilin e njohim dhe sot, Premier Liga. 25 vite të mbushura me shumë histori, që nga Arsenali i pamposhtur e deri tek përralla Lester Siti. Me radhë, Mançester Junajtid, Mançester Siti, Liverpuli, Totenhami, Arsenali do të kërkojnë të zbresin nga froni Çelsin kampion në fuqi, në një sezon që premton shkëndija.  Mediat angleze kanë bërë një analizë të ekipeve dhe shanseve të tyre për të fituar titullin kampion, duke u ndalur në 6 ekipet e para të sezonit të shkuar, që pritet të jenë dhe garuesit kryesorë për titull dhe në këtë sezon.

Çelsi – Nuk shihen si favoritët kryesorë për të mbrojtur titullin e fituar në sezonin e kaluar, por është e drejtë që “Blutë” të vijnë të parët në këtë listë. Në fund të fundit ata janë kampionët në fuqi dhe të gjithë kanë si pikënisje pikërisht ekipin e Kontes. Gjigantët e Premier duan të zbresin nga froni Çelsin, teksa vetë Konte nuk dëshiron të përfundojë si Ranieri apo Murinjo që vitin pasardhës të titullit u shkarkuan përkatësisht nga Lesteri dhe Çelsi. Vera nuk ka qenë aspak e qetë për kampionët në fuqi; fillimisht sherri mes Kontes dhe Diego Kostës krijoi shumë pështjellim. Por me t’u zgjidhur një çështje, të tjera janë hapur. Konte shpesh është ankuar se i mungojnë lojtarët e duhur për të mbrojtur titullin. Por pak a shumë të njëjtën gjë bënte dhe një vit më parë e në fund arriti të fitonte Premier. Një gjë është e sigurt, Çelsi i këtij sezoni është më i dobësuar, por Konte do ta mbajë në garë deri në fund.

Mançester Siti – Dy sezone pa trofe do të ishin vërtet shumë për Pep Guardiolën. “Qytetarët” shihen favoritët numër një për të fituar titullin në këtë sezon. Kjo nisur dhe nga merkato e çmendur, ku deri më tani kanë shpenzuar 218 milionë sterlina. Pep ka ndërtuar një skuadër sipas idesë së tij. Mbrojtja e ka ndëshkuar shpesh në sezonin e kaluar, por me afrimet e bëra në merkato, çdo repart duket i kompletuar. Pa folur këtu dhe për një mbërritje të mundshme të Aleksis Sançez…

Mançester Junajtid – Pretendenti numër 2 për të rrëzuar Çelsin nga froni. Murinjo ka treguar se në sezonin e tij të dytë fiton gjithnjë titullin, ndaj tifozët e Junajtidit duken optimistë. Klubi nuk ëhstë kursyer në merkato, duke i sjellë portugezit të gjithë lojtarët e kërkuar prej tij. pika e fortë mbetet soliditeti dhe stabiliteti i ekipit të Murinjos, karakteristikë e tij. Nëse disa prej 15 barazimeve të sezonit të kaluar do të ishin fitore do të flisnim për një tjetër histori. Por natyrisht dhe “Djajtë e kuq” kanë pikat e tyre të dobëta, ku pikëpyetja më e madhe mbetet në mbrojtje pavarësisht se është afruar Lindelof.

Liverpuli – Diçka më pak se dy vjet më parë kur Jurgen Klop zëvendësonte Brendon Roxhers, të gjithë mendonin se gjermani ishte njeriu i duhur për Liverpulin. Por deri më tani ai nuk ka fituar ende asnjë trofe me “The reds”. Megjithatë ai hodhi një hap sezonin e kaluar duke e rikthyer Liverpulin në Champions – do të luajë në play-off kundër Hofenhajmit. Nëse nuk do të shesin Filip Kutinjon tek Barcelona do të jenë kandidatë. “Anfield” është pika e tyre më e fortë, por Liverpuli duhet të kalojë makthin e skuadrave të vogla nëse dëshiron të shkojë te titulli që mungon prej 29 vitesh.

Arsenali – Pas një sezoni të vështirë, kur për herë të parë pas 20 vjetësh “Topçinjtë” mbetën jashtë Ligës së Kampioneve, Arsenali do të kërkojë të thotë fjalën e vet në këtë sezon. Venger ia arriti t’i shkëpuste një tjetër kontratë 2-vjeçare drejtuesve të klubit, pavarësisht kontestimeve të forta të një pjese të tifozerisë gjatë gjithë sezonit të shkuar.  Arsenali vjen në këtë sezon në Premier me mjaft ambicie, por problemet e brendshme me çështjen “Aleksis Sançez” natyrisht që nuk ndihmojnë “Topçinjtë”.  Ndaj skuadra e Vengerit ndoshta në këtë sezon duhet të kënaqet me një vend në Champions në maj 2018.

Totenhami – Nënkampionët do të jenë përsëri në garën për titull edhe në këtë sezon, ndonëse qëndrojnë dhe disa pikëpyetje. “Gjelat’ nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë në merkato, teksa rivalët bëjnë llogaritë me qindra milionë të shpenzuar. Gjithsesi, struktura e ekipit është ruajtur dhe Poçetino me ndonjë përforcim të orëve të fundit mund ta thotë fjalën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *